Gjaku i prodhuar në laborator është transfuzuar te dy vullnetarë në provat e para klinike, për herë të parë në botë, sipas Sky News.
Nëse ato rezultojnë të sigurta dhe efektive, qelizat e prodhuara të gjakut mund të revolucionarizojnë trajtimet për personat me çrregullime të gjakut, të tilla si qeliza drapër dhe grupe të rralla gjaku.
Për shumë persona që vuajnë nga këto çrregullime, mund të jetë e vështirë të gjendet gjak i dhuruar që përputhet, dhe qelizat e kuqe të gjakut të rritura në laborator do të nënkuptonin se individët që kërkojnë transfuzione të rregullta mund të kenë nevojë për më pak në të ardhmen.
“Kjo provë sfiduese dhe emocionuese është një hap i madh drejt prodhimit të gjakut nga qelizat burimore”, tha Ashley Toye, drejtoreshë e Njësisë së Gjakut dhe Transplantit në Institutin Kombëtar për Kërkimin e Shëndetit dhe Kujdesit (NIHR).
“Kjo është hera e parë që gjaku i rritur në laborator nga një dhurues alogjenik transfuzohet te individët, dhe ne jemi të emocionuar të shohim se si do të funksionojnë qelizat në fund të provës klinike”, shtoi ajo.
Qelizat e prodhuara të gjakut u rritën nga qelizat burimore nga donatorët, dhe më pas u transfuzuan te vullnetarët gjatë provës klinike.
“Nëse testi ynë, i pari i tillë në botë, është i suksesshëm, kjo do të thotë që pacientët të cilët aktualisht kërkojnë rregullisht transfuzione afatgjatë të gjakut, do të kenë nevojë për më pak transfuzione në të ardhmen”, tha Cedric Ghevaert, profesor në Mjekësinë e Transfuzionit dhe konsulent hematolog në Universitetin e Kembrixhit.
Deri më tani, transfuzioni i qelizave të kuqe të rritura në laborator është kryer te dy persona dhe nuk ka patur efekte anësore të padëshiruara.
Sasia e qelizave të rritura në laborator që injektohen ndryshon, por ato variojnë në rreth 5-10 ml (rreth një deri në dy lugë çaji)./ATSH