Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se të premten janë lokalizuar tek varrezat afër Tjegullores në Podujevë, mbetjet mortore të një individi.
Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mbetjet mortore dyshohet të jenë të personit nga lista e personave të zhdukur me dhunë, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Sot, në varrezat afër Tjegullores në Podujevë, ekipet mjeko ligjore nga IML, me mbështetje nga EULEX, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KQPZH, kanë arritur të lokalizojnë mbetjet mortore të një individi që dyshohet të jetë nga lista e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Gërmimet janë duke vazhduar ende në kërkim edhe të individëve të tjerë”, ka shkruar Haxhiu, transmeton Telegrafi.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13,000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.