RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Gjendja e rënduar në fshatin Dardani të Ferizajt pas vërshimeve, Basha del me reagim

gjendja-e-renduar-ne-fshatin-dardani-te-ferizajt-pas-vershimeve,-basha-del-me-reagim

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar fshatin Dardani të Ferizajt për të parë nga afër gjendjen e krijuar pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë zonën një ditë më parë.

Ai ka bërë të ditur se ekipet e mirëmbajtjes janë udhëzuar që të nisin menjëherë sanimin e dëmeve në infrastrukturën rrugore, përfshirë riparimin e trotuareve të dëmtuara.

“Sot isha në terren për të parë nga afër gjendjen në fshatin Dardani të Ferizajt, pas reshjeve të dendura të shiut që kishim dje. Së bashku me kompaninë e mirëmbajtjes, i udhëzova ekipet që të fillojnë menjëherë sanimin e dëmeve në rrugë, duke përfshirë edhe riparimin e trotuareve të dëmtuara”, ka deklaruar Basha.

Ai theksoi se institucionet do të reagojnë në raste të fatkeqësive natyrore, ndërsa paralajmëroi edhe projekte afatgjata për zgjidhjen e problemeve me ujërat atmosferike.

“Fatkeqësitë natyrore nuk mund t’i parandalojmë, por do të jemi aty për të reaguar kur paraqitet nevoja”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është duke punuar në hartimin e një projekti që synon zgjidhje afatgjatë për këtë zonë, përmes ndërtimit të një sistemi adekuat për largimin e ujërave atmosferike.

“Ministria tashmë është në fazën e hartimit të projektit që do të sjellë një zgjidhje afatgjatë për pjesën më të madhe të këtij problemi, përmes ndërtimit të një sistemi adekuat për largimin e ujërave atmosferike”, ka bërë të ditur Basha.

Ai shtoi se një pjesë e problemeve lidhet edhe me keqmenaxhimin e ujërave nëntokësore nga disa banorë të zonës, duke bërë thirrje për bashkëpunim.

“Megjithatë, një pjesë e problemeve po shkaktohet edhe nga keqmenaxhimi i ujërave nëntokësore nga disa banorë të zonës, prandaj kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve për ta parandaluar përsëritjen e dëmeve”, ka deklaruar ministri.

Në fund, Basha u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes gjatë qarkullimit në këtë segment deri në përfundimin e punimeve të rehabilitimit.

Related posts

“Rruga drejt paqes s’duhet të jetë kurrë dorëzimi”- Presidenti Begaj në Samitin për Ukrainën: Të gjejmë mënyrën për të ndalur tragjedinë njerëzore

admin

Deklarata e Ivica Dacic/ BE: Duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Serbia po shkel detyrimet e marrëveshjes së Ohrit

admin

LVV sërish me video, akuzon pushtetet e kaluara

admin