Gjermania sot ripërtëriu kundërshtimin e saj ndaj një ndalimi të mundshëm të Bashkimit Evropian për tregtinë me vendbanimet e paligjshme izraelite, duke argumentuar se masa të tilla do të ndërlikojnë marrëdhëniet me Izraelin pa arritur rezultatet e dëshiruara, transmeton Anadolu.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul u tha gazetarëve në Bruksel përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së se Berlini beson se çështja trajtohet më mirë përmes bisedimeve të drejtpërdrejta me qeverinë izraelite sesa përmes sanksioneve ose kufizimeve tregtare.
“Ne kemi qëndrim të qartë mbi politikën e vendbanimeve: është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha Wadephul duke theksuar se “E bëra të qartë këtë përsëri gjatë vizitës sime në Izrael javën e kaluar. Theksova pritjen tonë që qeveria izraelite të ndërmarrë veprime të ashpra dhe vendimtare kundër pushtuesve që përdorin dhunë”.
Wadephul theksoi rëndësinë e mbajtjes së hapur të kanaleve të komunikimit me qeverinë izraelite. Ai shtoi se detyra më urgjente është të krijohen kushte për përparim në një armëpushim në Liban dhe të përmirësohet situata humanitare në Gaza.
Ai pohoi se propozimet e Komisionit Evropian për kufizimin e tregtisë me vendbanimet izraelite do të kërkojnë miratim unanim nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së dhe nuk mund të miratohen me votim me shumicë të kualifikuar.
Mediat gjermane raportuan sot se Berlini po izolohet gjithnjë e më shumë brenda BE-së për shkak të kundërshtimit të tij ndaj kufizimeve tregtare për mallrat nga vendbanimet e paligjshme izraelite në territoret e pushtuara palestineze.
Të paktën 20 vende të BE-së thuhet se i kërkuan KE-së në qershor të sqaronte se çfarë masash mund të merren në përgjigje të zgjerimit të vazhdueshëm të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

