Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, supozoi se sulmi ajror izraelit në Rafah ishte një gabim, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Hebestreit tha se hetimet janë duke u zhvilluar aktualisht në Izrael për të përcaktuar nëse ishte një sulm në shënjestër.
“Në çdo rast, ka ndodhur një gabim, tashmë mund ta themi këtë”, shtoi ai.
Sipas Hebestreit, duhet të shqyrtohet çështja e motivit për sulmin.
Sipas të dhënave të fundit, të paktën 45 persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën pasi Izraeli dje shënjestroi një kamp për personat e zhvendosur dhe shtëpitë në Rafah, thanë burime mjekësore.
Sulmi ndodhi pranë bazës logjistike të agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Tal al-Sultan, njoftoi Zyra e Medias në Gaza.
Avioni izraelit shënjestroi disa tenda në zonë, tha zyra e mediave, duke shtuar se janë përdorur raketa dhe bomba 2000 paund.
Më herët, mbrojtja civile e Gazës tha se transportoi 50 persona, përfshirë të vdekur dhe të plagosur, pas bombardimeve. Në zonën e shënjestruar strehohen të paktën 100 mijë njerëz të zhvendosur.
Të shtunën, zv/kancelari gjerman Robert Habeck tha se Izraeli e kishte kaluar kufirin duke shkelur ligjin ndërkombëtar me veprimet e tij në Rripin e Gazës.
Kur u pyet në lidhje me vijat e kuqe të qeverisë në lidhje me mbështetjen e saj ushtarake ndaj Izraelit, Habeck tha se Gjermania ka thënë vazhdimisht se sulmi në Rafah ishte i gabuar dhe Izraeli nuk duhet ta kishte kryer sulmin.
Duke theksuar se Izraeli duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar, Habeck tha: “Uria, vuajtjet e popullsisë palestineze, sulmet në Rripin e Gazës janë, siç po shohim tani në gjykatë, të papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare”.