Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock u bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ulin tensionet në kufijtë mes dy vendeve, transmeton Anadolu.
Baerbock mbajti një konferencë për media me ministrin e Jashtëm të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Elmedin Konakoviq, në kryeqytetin Berlin.
Duke deklaruar se situata në kufirin e Serbisë dhe Kosovës është shumë e tensionuar, Baerbock tha: “U bëjmë thirrje të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, të bëjnë gjithçka që munden për të qetësuar këtë situatë alarmante”.
Baerbock kërkoi “lirimin e pakushtëzuar” të 3 policëve të Kosovës të cilët u ndaluan nga autoritetet serbe si hap i parë nga Serbia. Duke kujtuar se BeH mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, Baerbock tha se pas përpjekjeve të suksesshme për formimin e qeverisë në BeH, reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit në BE duhet të trajtohen me vendosmëri.
Ajo përsëriti se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Evropë dhe është projekti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të BE-së për ta. “Ky është prioriteti ynë i rëndësishëm. Ne ju duam në BE. Ne po shkojmë në këtë rrugë me ju dhe jemi në krahun tuaj dhe ju mbështesim me të gjitha forcat tona”, tha ajo.
Baerbock theksoi se qeveria gjermane nuk mbështet ata që duan ndarjen dhe dobësimin e vendit në BeH, por vetëm ata që bëjnë përpjekje për të forcuar vendin.
“Së bashku me partnerët e Gjermanisë do të kundërshtojmë ata që rrezikojnë paqen në BeH. Presim që sanksionet e BE-së kundër Rusisë të zbatohen jo vetëm në letër, por edhe në praktikë, nga çdo vend kandidat për në BE”, tha shefja e diplomacisë gjermane.
“Është shumë e rëndësishme për vendin tim”
Ministri i Punëve të Jashtme të BeH-së, Konakoviq tha se Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i jashtëm i BeH-së dhe u shpreh se dëshirojnë të avancojnë marrëdhëniet ekonomike me Berlinin.
Duke thënë se tregtia totale midis dy vendeve kaloi 2.5 miliardë euro vitin e kaluar dhe se kompanitë gjermane janë investitorët kryesorë në BeH, Konakoviq tha: “Kjo është shumë e rëndësishme për vendin tim”.
Ai nënvizoi se Gjermania mirëpret Misionin Paqeruajtës të BE-së në BeH për t’iu bashkuar EUFOR Althea dhe se kjo është e rëndësishme për sigurinë e Ballkanit.