Gjermania ka ndaluar organizatën neonaziste “Artgemeinschaft” dhe ka kryer bastisje në të gjithë vendin që kishin në shënjestër figurat kryesore të grupit ekstremist, raporton Anadolu.
“Kjo është një tjetër goditje e fortë kundër ekstremizmit të krahut të djathtë dhe kundër piromanëve intelektualë që vazhdojnë të përhapin ideologjitë naziste edhe sot e kësaj dite”, deklaroi ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser.
Grupi i ngjashëm me kultin është i njohur për teoritë e tij neopagane dhe raciste dhe akuzohet se ka indoktrinuar fëmijët në mosha të reja me ideologji naziste dhe antisemitike.
“Artgemeinschaft” është i lidhur me shumë grupe të tjera të ekstremit të djathtë dhe me grupet e reja të djathta. Kjo organizatë lidh rryma të ndryshme të së djathtës ekstreme dhe kështu përbën një kërcënim të veçantë për rendin e lirë demokratik”, tha Faeser.
Në orët e para të ditës, policia bastisi shtëpitë e 39 anëtarëve kryesorë të organizatës dhe kreu kontrolle në 12 shtete federale, njoftoi Ministria e Brendshme.
Sipas autoriteteve, neonazistët dhe ekstremistët e krahut të djathtë përbëjnë kërcënimin më të madh për demokracinë dhe sigurinë e brendshme të Gjermanisë.
Në vitin 2022, ekstremistët e krahut të djathtë kryen 23.493 krime dhe 1.170 sulme të dhunshme që kishin objektiv emigrantët, refugjatët ose kundërshtarët politikë. Të paktën 675 persona u plagosën në këto sulme.