Gjermania po përballet me temperatura përvëluese gjatë gjithë ditës dhe natës si pasojë e një vale të fortë të të nxehtit dhe sipas Shërbimit Gjerman të Motit (DWD) netët në vijim pritet të jenë edhe më të nxehta, transmeton Anadolu.
Felix Dietzsch nga qendra e parashikimit të motit tha se është plotësisht e mundur që temperaturat në zonat e mëdha metropolitane në pjesën perëndimore të vendit të mos bien nën 24 apo 25 gradë Celsius gjatë natës.
“Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për kushte plotësisht tropikale dhe ndoshta rekord, të cilat tashmë janë të padurueshme pa ajër të kondicionuar”, tha Dietzsch për revistën Der Spiegel.
Temperaturat gjatë ditës në perëndim dhe jugperëndim, përgjatë lumenjve Rhein, Main dhe Mosel, arritën deri në 38 gradë Celsius. Temperatura mbi 30 gradë Celsius u regjistruan gjithashtu në pjesën më të madhe të lindjes dhe veriut të vendit.
– Temperatura rekord
“Situata do të nxehet edhe më shumë të enjten dhe të premten”, tha Dietzsch. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius të enjten dhe të rriten edhe më tej të premten.
Disa parashikime flasin për temperatura lokale deri në 41 gradë Celsius, por sipas DWD-së, “ende ekziston një shkallë pasigurie”.
Të premten, vala e të nxehtit pritet të përfshijë pjesën tjetër të vendit. Temperaturat do të mbeten nën 35 gradë Celsius vetëm në veri të lumit Elba dhe në disa zona në jug të Danubit.
Në pjesët e tjera të vendit, temperaturat do të lëvizin ndërmjet 36 dhe 38 gradë Celsius, ndërsa në disa pjesë të gjysmës jugperëndimore do të arrijnë nga 39 deri në 40 gradë Celsius.
Temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në Gjermani ishte 41,2 gradë Celsius, e matur më 25 korrik 2019 në qytetet perëndimore Tonisvorst dhe Duisburg-Baerl. Dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në muajin qershor ishte më 30 qershor të po atij viti, në qytetin lindor Bernburg, ku temperatura arriti në 39,6 gradë Celsius.

