RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjermania përsërit kundërshtimin për të kërkuar armëpushim në Gaza

gjermania-perserit-kundershtimin-per-te-kerkuar-armepushim-ne-gaza

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka përsëritur qëndrimin e vendit të saj për të mos kërkuar armëpushim në Rripin e Gazës, ku numri i palestinezëve të vrarë ka tejkaluar 14.100, transmeton Anadolu.

Gjatë një interviste me transmetuesin publik gjerman ‘DW’, shefja e diplomacisë gjermane mbrojti kundërshtimin e Gjermanisë për një armëpushim në Gaza dhe theksoi se prioritet duhet të jetë marrja e ndihmës humanitare për banorët.

Ajo theksoi “përgjegjësinë ndërkombëtare” në enklavën e rrethuar kur të përfundojnë sulmet.

“Për të garantuar sigurinë, ne kemi nevojë për përgjegjësi ndërkombëtare”, tha Baerbock.

Duke iu referuar “luftërave të tmerrshme në Ballkanin Perëndimor të Evropës”, Baerbock tha se komuniteti ndërkombëtar ka marrë një përgjegjësi të ngjashme në konfliktet e tjera të fundit.

Siç tha ajo, Gjermania po punon me SHBA-në dhe disa vende arabe “për të bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar që njerëzit në Gaza të kenë vende të sigurta ku nuk do të vriten, ku mund të kenë ujë të pastër të pijshëm dhe ilaçe”.

Lidhur me situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar, ajo kritikoi politikat e vendbanimeve të qeverisë izraelite.

“Kryeministri i Izraelit duhet të dënojë dhunën e kolonëve. Ajo duhet të ndiqet penalisht. Kjo është gjithashtu në interesin e sigurisë së Izraelit. Për sa i përket sigurisë në Bregun Perëndimor, Izraeli gjithashtu është përgjegjës për të siguruar që situata atje të mos përshkallëzohet më tej”, tha ajo.

Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor mes ofensivës ushtarake izraelitë në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Ministria e Shëndetësisë Palestineze tha se të paktën 218 palestinezë janë vrarë dhe 2.850 të tjerë janë plagosur nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori.

“Siguria e Izraelit është arsyeja e shtetit të Gjermanisë”

Më tej, Baerbock foli rreth “mbështetjes së pakushtëzuar” të Gjermanisë për Izraelin dhe tha se ajo e konsideron këtë kritikë “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Mbështetja e Gjermanisë për Izraelin, theksoi ajo, në “asnjë mënyrë nuk bie në kundërshtim me mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe për universalitetin e të drejtave të njeriut”.

Baerbock theksoi “përgjegjësinë historike dhe morale të Gjermanisë ndaj popullit hebre dhe shtetit izraelit” si rezultat i Luftës së Dytë Botërore, si dhe mizorive të kryera gjatë Holokaustit.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe jemi të përkushtuar ndaj përgjegjësisë sonë gjermane. Dhe kjo do të thotë t’u japim një vend të sigurt burrave dhe grave hebreje, të cilët Gjermania ishte përpjekur t’i asgjësonte nën diktaturën naziste. Ky është shteti i Izraelit dhe kjo është pse siguria e Izraelit është ‘arsyeja e shtetit’ të Gjermanisë”, tha Baerbock.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Së fundmi, autoritetet në Gaza njoftuan se numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në enklavën e rrethuar që nga 7 tetori është rritur në mbi 14.128, përfshirë 5.840 fëmijë dhe 3.920 gra.

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelite është rreth 1.200.

Related posts

Turqi, 10 të vdekur dhe disa të zhdukur nga përmbytjet në disa qytete

rezart morina

Putin nderon presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, me Urdhrin Aleksandra Nevskog

rezart morina

Policia e Kosovës mbyll vendkalimet në Bërnjak e Jarinë

admin