Policia e Kosovës të martën ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme pas gjetjes së arsenalit të armëve në veri të vendit.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në një konferencë për media bëri se nga bashkëpunimi i ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe informacionet e pranuara, policia kreu një bastisje në rrethinën e Zveçanit.
Kreu i Policisë theksoi se tashmë është ndaluar për intervistim një person, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, pasi dyshohet se është i lidhur me armët, të cilat janë gjetur në afërsi të shtëpisë së tij.
Hoxha shtoi se hetimet do të vazhdojnë për të zbardhur të gjithë rrethanat dhe përgjegjësitë individuale në lidhje me këtë rast.
Lidhur me gjetjen e arsenalit të armëve ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai shprehu vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të ballafaquar çdo përpjekje për cenimin e rendit kushtetues.
Sipas tij, mbetjet kriminale të Milan Radojçiqit po ç’rrënjosen nga veriu.
“Në çdo ditë të punës sonë po zbulojmë përmasat e krimit dhe kapacitetet e armatimit që kanë pasur grupet kriminale në veri, të cilat kanë sulmuar apo kanë planifikuar të sulmojnë zyrtarët tanë dhe institucionet tona”.
“Është e qartë kush qëndron prapa kësaj veprimtarie si edhe pas depove të tjera të armatimit, sulmeve ndaj zyrtarëve tanë, pjesëtarëve të KFOR, gazetarëve e qytetarëve. Të njëjtit e sulmit të Banjskës, të cilët strehohen në Serbi e mbrohen dhe glorifikohen nga Aleksandër Vuçiq”.
The post Gjetja e arsenalit të armëve në veri, sasia e konfiskuar dhe deklaratat e ministrit Sveçla e drejtorit Hoxha first appeared on Radio Televizioni Iliria.