RTV AHIRETI
Shëndetësi

Gjumi dhe ëndrrat nga këndvështrimi Kuranor dhe shkencor

gjumi-dhe-endrrat-nga-kendveshtrimi-kuranor-dhe-shkencor

Allahu i madhërishëm në Kuran thotë:

“Nga argumentet e Tij është edhe gjumi juaj natën dhe ditën, edhe përpjekja juaj për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argumente për popullin që dëgjon”.
(Er Rum, 23)

“All-llahu është Ai, që juve ua bëri natën të pushoni në të, e ditën të ndritshme. All-llahu është dhurues ndaj njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e falënderojnë”.
(Gafir, 61)

“Ne i bëmë natën dhe ditën dy fakte (që dokumentojnë për fuqinë Tonë), e shenjën e natës e shlyem (e errësuam), e shenjën e ditës e bëmë të ndritshme që të mund të angazhoheni për shfrytëzimin e begative të dhuruara nga Zoti juaj, dhe që ta mësoni njehsimin e vjetëve dhe llogaritjen (e kohës). Ne kemi sqaruar çdo send në mënyrë të hollësishme”.
(El Isra, 12)

“Dhe gjumin tuaj ua bëmë për pushim. Dhe natën ua bëmë mbulesë (si rrobat)”.
(En Nebe, 9 – 10)

“Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë”!
(El Lejl, 1)

“Pasha natën kur ajo e mbulon atë (dritën e diellit)!”
(Esh Shems, 4)

“All-llahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin e caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”.
(Ez Zumer, 42)

Përse flemë?  Përse ëndërrojmë?

Janë dy pyetje që gjithmonë u kanë interesuar njerëzve që t’i zbulojnë.
Filozofi i njohur francez Ipolit Ten ka kërkuar nga shërbëtori i tij që ta zgjojë disa herë natën, për të parë ëndërron apo nuk ëndërron.
Që nga viti 1920, kur ra epidemia e encerfalitit letargjik, gjatë së cilës sëmundje të sëmurët kanë rënë në gjumë të thellë, është konstatuar se me të vërtetë gjumi është fenomen organik: ekziston një shkaktar (më vonë u zbulua virusi) që dëmton sfera të caktuara në cipën e trurit.
Hulumtimet e fiziologjisë së gjumit filluan nga vitet 1914 – 1918, kur shkencëtari R. Hes, duke ngacmuar qelizat nervore të shtazëve, arriti të shkaktojë tek ato gjumin në mënyrë artificiale. Zbulimi i parë më i rëndësishëm për ta kuptuar fenomenin e gjumit ishte se në tru nuk ekziston «qendra për gjumë», siç besohej deri atëherë, por vetëm «qendra për zgjim dhe vëmendje» dhe se aktiviteti i zvogëluar i saj shkakton gjumin (Magun dhe Moruci). Zbulimet e mëvonshme treguan se gjumi nuk është fenomen pasiv. U zbulua po ashtu se gjumi nuk është fenomen i thjeshtë, por është i përbërë prej shumë valëve (Klane, Fimejn, Klajtmen). Paralelisht me këtë u vërtetua se gjumi është nën ndikimin e substancave kimike – neuromediatore, që bëjnë të mundur bartjen e impulseve nervore, përkatësisht punën e harmonizuar të miliona neuroneve.
Gjumi, si fenomen me rëndësi për jetën e njeriut, përkufizohet si gjendje e pavetëdijshme e njeriut, nga e cila gjendje mund të zgjohet me ndihmën e ngacmimeve adekuate senzorike apo me anë të ngacmimeve të tjera.
Deri vonë mendohej se gjumi është ndërprerje e aktivitetit të sistemit nervor qendror, mirëpo hulumtimet në të reja tregojnë se gjatë gjumit janë në gjendje aktive një numër gati i njejtë qelizash nervore (neurone) si edhe kur njeriu është zgjuar.
Mundësia e regjistrimit të valëve elektrike, të cilat truri i përcjellë në elektroencefalograf (EEG), dhe mundësia e matjes së lëvizjes së trupit me akinograf, kanë treguar imazhin e qartë të incizuar të gjumit me saktësi matematikore të përafërt.
Çdo natë, pothuaj në të njejtën kohë, ju shihni orën, gogësini dhe përgatiteni për të fjetur. Ju shtriheni në shtrat me dritat e fikura dhe sytë e mbyllur, duke pritur që ndjenja e përgjumjes t’u çojë në atë gjendje në të cilën ju do t’i kaloni rreth 8 orët e ardhshme.
Ju kaloni afërsisht një të tretën e jetës suaj në gjumë. Për shumë njerëz kjo do të thotë rreth 25 vjet. Përderisa ju flini pak a shumë rregullisht çdo ditë, ju e konsideroni gjumin vetëm si një të vërtetë të pashmangshme. Pikërisht tani shkencëtarët po mësojnë disa nga misteret e shumta të gjumit dhe ëndërrimit.
Dy tipat e gjumit u emërtuan për herë të parë më 1953. Ky ishte viti kur Juxhir Azerinski (Eugene Aserinsky) dhe Netheniell Kllaitmen (Nathanail Kleitman) të Universitetit të Çikagos, njoftuan se gjatë gjumit sytë lëvizin periodikisht dhe shumë shpejtë, lartë e poshtë, nën kapakë.
Ky aktivitet i quajtur LSHS (lëvizje e shpejtë e syve), tregonte një tip gjumi që ishte shumë aktiv, në krahasim me etapat e tjera më passive të gjumit, të quajtura LJSHS (lëvizje jo e shpejtë e syve).
Etapat e gjumit LJSHS. EEG – të e trurit tregojnë se ka katër etapa të veçanta të gjumit LJSHS. Nganjëherë këto etapa quhen në mënyrë përmbledhëse «gjumë me valë të ngadalshme» ose «gjumë klasik», meqë kjo është ideja klasike për atë çka është gjumi. Çdo natë kur biem të flemë, para se të kalojmë në gjumin LSHS, ne kalojmë nëpër secilën nga të katër etapat e gjumit LJSHS.
Etapa e parë është kalimi nga shtendosja në gjumë të plotë.
EEG – ja karakterizohet nga aktiviteti «theta» dhe ka një frekuencë prej 4 – 6 Hc. Personi që është i përgjumur mund të ketë imazhe që ngjajnë më tepër me halucinacionet se sa me ëndërra me sy hapur.
Ai mund të zgjohet me lehtësi dhe mund të ndikohet nga nxitës të jashtëm si, p.sh., kur bie telefoni.
Etapa e dytë është etapë me të cilën EEG – ja përmbanë poashtu aktivitet «theta» dhe karakterizohet nga «boshte gjumi», që janë shpërthime të shkurta valësh prej 12 – 14 Hc. Kjo etapë përmbanë gjithashtu «komplekse K», që janë ngritje dhe rënie të forta në EEG. Ne kalojmë rreth 50% të gjumit tonë në këtë etapë.
Etapa e tretë është një etapë kalimtare, në të cilën kalojmë rreth 10% të gjumit tonë. EEG – ja e kësaj etape mund të përmbajë ende «boshte gjumi», por gjithashtu fillon të shfaqet aktivitet delta, që ka një frekuencë prej 1 – 3 Hc.
Etapa e katërt është quajtur shpesh «gjumi i thellë». EEG – ja e kësaj etape përbëhet më se 50% nga aktiviteti delta. Në etapën e katërt ne kalojmë afërsisht 15% të gjumit tonë dhe është tejet vështirë të zgjosh dikë nga kjo etapë. Por, kur e bëjmë këtë, personi ka prirje të jetë si i këputur dhe nuk funksionon plotësisht. Të folurit në gjumë, trembja natën, urinimi në shtrat, të gjitha ndodhin kryesisht gjatë gjumit në këtë etapë.
Karakteristika të caktuara janë të zakonshme në gjumin LJSHS. Sytë mund të lëvizin ngadal nga njëra anë te tjetra. Ritmi i zemrës ngadalësohet dhe tensioni i gjakut ulet pak.
Frymëmarrja është e ngadaltë dhe e rregullt (dhe në këtë kohë njeriu gërhet). Në përgjithësi mungon tensioni muskulor dhe njeriu që fle është i palëvizshëm. Po ta shihnim njeriun në gjumin LJSHS, do të arrinim në përfundim se ai po pushon në qetësi.
Gjumi LSHS. Gjumi me lëvizje të shpejtë të syve (LSHS) quhet shpesh «gjumë i ëndërrave, gjumë aktiv» ose «gjumë paradoksal», sepse këtu ndodh ëndërrimi dhe karakteristikat e gjumit LSHS janë të ngjashme me ato të gjendjes zgjuar. Sytë lëvizin me shpejtësi lart e poshtë. Ritmi i zemrës përshpejtohet, tensioni i gjakut ngritet, frymëmarrja bëhet e ndryshueshme dhe ndodh ndezja seksuale në të dy sekset (Kiester, 1980). Ka lëvizje periferike të fytyrës dhe të gishtave, por muskujt e mëdhenj të trupit janë plotësisht të paralizuar nga sistemi nervor dhe si rrjedhim nuk mund të ndodhë asnjë lëvizje e tërë trupit. Në përgjithësi aktiviteti i EEG – së është i ngjashëm me gjendjen kur njeriu është zgjuar me sy të hapur, por përmban valë karakteristike «dhëmbësharrë» të modeleve të EEG – së së gjumit. Duke i riparë këto karakteristika, ne nxjerrim përfundim se gjumi LSHS është vërtetë një gjendje aktive e të fjeturit.
Gjumi LSHS kosiderohet si gjumi i ëndërrave, meqë pjesa më e madhe e ëndërrimit ndodh në këtë etapë. Dimenti (Uiliam C. Dement) i mblodhi rezultatet e një numri studimesh më 1976 dhe njoftoi se personat e eksperimentuar kur zgjohen nga gjumi LSHS mund t’i rikujtonin ëndërrat deri në 83% të rasteve, ndërsa kur zgjoheshin nga gjumi LJSHS ata mund t’i tregonin ëndrrat vetëm në rreth 14% të rasteve. Ëndrrat në etapën LSHS shpesh mbahen në mend të freskëta, ndërsa ato pak ëndrra që shihen në etapat LJSHS janë shpesh të turbullta dhe të paqarta.
Ndonëse ekzistojnë ndryshime të mëdha, shkencëtarët kanë zbuluar se shumica e ëndrrave paraqesin një model të përbashkët të fjetjes gjatë jetës së tyre (Roffëorg, Muzio dhe Dement, 1996). I porsalinduri fle deri 16 orë në ditë, zakonisht në séance relativisht të shkurtra, të shpërndara në 24 orë. Në vitin e parë gjumi i natës, me disa dremitje gjatë ditës, bëhet normë. Në moshën 2 deri 5 vjeçare fëmijët flenë rreth 11 orë në ditë, duke përfshirë edhe një dremitje prej një ore gjatë ditës. Gjatë moshës 6 deri 16 vjeçare koha e përgjithshme e gjumit lëvizë mesatarisht nga 11 orë në rreth 8 orë përnatë, dhe vazhdon në rreth 8 orë gjatë pjesës më të madhe të moshës së rritur.
Kur njerëzit mplaken ekziston tendenca që të kenë vështirësi të mëdha me gjumin. Më 1975 Uills Ueb (Wilse Webb) njoftonte se te një grup 60 vjeçarësh numri i zgjimeve gjatë natës ishte mjaftë më i madh se te një grup 30 vjeçarësh. Grupit të 60 vjeçarëve i duhej më shumë kohë që ta zinte gjumi. Ata zgjoheshin natën më shpesh dhe spontanisht dhe në tërësi bënin më pak gjumë cilësor. Gjithashtu shumica e të moshuarve dremiste gjatë natës. Gratë kanë tendencë që të jenë më rezistente ndaj ndryshimeve të moshës se sa burrat.

TEORITË MBI GJUMIN

Fitimi i njohurive lidhur me mënyrën se si truri kontrollon gjumin dhe zhvillimi i teorive mbi funksionet e gjumit ka qenë një proces shumë i ngadaltë. Shkaku pjesërisht qëndron në atë se nuk është e lehtë të studiohet truri, i cili është duke funksionuar. Mekanizmat që veprojnë janë shumë më të ndërlikuar, se sa besonin shkencëtarët në fillim. Ndonës tashmë ne kemi një ide mbi funksionet e gjumit dhe mbi mënyrën e ndikimit të trurit në disa aspekte të gjumit, megjithatë ka shumë boshllëqe në fushën e gjumit, të cilat boshllëqe duhet të plotësohen nga hulumtuesit e ardhshëm.
Më 1967 Majkëll Zhuvet (Michael Jouvet) tregoi se gjumi LJSHS dukej se ndikohej nga një zonë në trungun e trurit, që njihet si bërthama e bashkimit (raphe nucleus). Nxitja elektrike e kësaj zone zakonisht sjell gjumë, ndërsa dëmtimet e saj çojnë drejtë eliminimit të gjumit.
Disa kërkime tregojnë se gjumi i etapës së katër është i rëndësishëm për ripërtëritjen fizike të trupit (Moldofsky, Scaribrick, 1976). Disa studime sugjerojnë se gjumi LSHS ka të bëjë me të mësuarit dhe kujtesën (Greises, Greenberg, Harrison, 1972).
Një teori e kohëve të fundit mbi gjumin LSHS e Frensis Krikut (Francis Crick) bashkëzbulues i strukturës së ADN, shkon në drejtim të kundërt. Kriku dhe Miçiseni (Mitchison, 1983) mendonin se funksioni i gjumit LSHS është që të pastrojë trurin nga kujtimet që mund të ndërhyjnë në mendimin normal dhe në kujtesë. Kjo është arsyeja pse ne nuk i mbajmë në mend shumë nga ëndrrat tona.
Aktualisht nuk mund të nxjerrim ndonjë përfundim të përcaktuar prej këtyre hipotezave. Vetëm mund të themi se duket qartë se gjumi LSHS e ka rëndësinë e nevojshme «për të kërkuar» nga ne që të shohim ëndrra çdo natë.
Pra, pas tërë këtyre hulumtimeve mund të konkludojmë se e njohim fare pak fenomenin e gjumit. Shkaku i kësaj është se gjumi është mister i Allahut të madhërishëm, i cili na rikujton versetin e Kur’anit fisnik:
“Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në një afat të caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”
(Ez Zumer, 42)
Nga ky verset kuranor kuptojmë se Allahu i gjithëmëshirshëm i merr shpirtat tanë në gjumë, përveç shpirtit bimor dhe shtazor, i cili i kryen funksionet elementare të organizmit tonë. Andaj është e pamundur të dimë gjithçka mbi gjumin, sepse nga trupi ynë transformohet shpirti racional. Kjo do të thotë sikur ta përshkruash kafazin pasi të ketë fluturuar bilbili. Mu për këtë cituam shumë teori dhe hipoteza mbi gjumin që janë bërë nga shkencëtarë të ndryshëm. Këtë e bëmë për të treguar boshllëqet e shumta dhe njohuritë e përcipta që kemi në shpjegimin e misterit të gjumit dhe ëndrrave.

ËNDRRAT

Njerëzit gjithmonë janë magjepsur me ëndrrat. Poetët dhe filozofët i kanë interpretuar ato si fantazi romantike ose si manifestime të anës më të errët të natyrës njerëzore. Shumë shkencëtarë kanë mbajtur një qëndrim më praktik ndaj ëndrrave dhe i kanë studiuar ato si Brenda, ashtu edhe jashtë laboratorit për të kuptuar në mënyrë më shkencore vendin që zënë ato në jetën njerëzore.

TEORIA E ËNDRRAVE E FROJDIT

Një teori e hershme mjaft e popullarizuar mbi ëndrrat u paraqit nga Zigmund Frojd (1900), i cili besonte se ëndrrat janë rruga drejtë mendjes së pandërgjegjshme. Ai mendonte se konfliktet që na shqetësojnë ose ngjarjet që ne nuk mund t’i trajtojmë gjatë ditë kalojnë në ëndrra, i fsheh imazhet që paraqesin dhe prandaj është e nevojshme që ato të interpretohen. Një pjesë e madhe e interpretimeve të Frojdit përqendrohej te simbolizmi seksual. Në simbolizëm përmbajtja e pashfaqur e një ëndrre konvertohet në simbole të shfaqura. P.sh. ai sugjeronte se organet gjenitale mashkullore në ëndrra përfaqësohen me simbole si shkopinj, shtylla, pemë, kama, heshta, revolver, lapsa ose çekiç, kurse organet seksuale femërore si gropa, zgavra, enë, shishe, kuti dhe xhepa. Problemi kryesor i kësaj mënyre të interpretimit është se një simbol mund të mos kishte kuptim të njejtë për çdo ëndërrues.
Shkencëtarë të tjerë konstatojnë shumë më pak ëndrra seksuale se sa Frojdi. Një mënyrë tjetër për trajtimin e ëndrrave paraqitet nga Pelambue (Palumbu, 1978), i cili sugjeronte se ëndrrat janë mënyrë e të përpunuarit e ngjarjeve të ditë.
Kelven Holl (Calvin Hall, 1966) besonte gjithashtu se ëndrrat janë thjesht paraqitje vizuele e ngjarjeve të përditshme.
Në kohë të fundit teoria e sintezës së aktivizimit të ëndërrimit u paraqit nga Makarli (Mecarleu dhe Hoffmann, 1981). Në thelb, sipas kësaj pikëpamje truri aktivizon vetvetën dhe pastaj e sintetizon në ëndrra informacionin e krijuar, përkatësisht të grumbulluar. P.sh.ata sugjerojnë se rrëzimi është interpretim i aktivit vestibular, frika ose pamundësia për t’ia mbathur e për të shpëtuar është interpretim i paralizës muskulore, ndërsa veprimtaria seksuale është interpretim i simulimit të organit seksual që ndodh gjatë gjumit LSHS.
Ndonëse teoria e sintezës së aktivizimit të ëndërrimit është interesante, ajo ende nuk është vërtetuar.
Ëndrrat dëshmojnë për aktivitetin psiqik gjatë gjumit, p.sh. ka mjaft raste ku në gjumë bëhet punë aktive krijuese. Shkencëtarët kanë zbuluar gjëra me rëndësi, poetët kanë thurur vargje, etj.
Pikërisht në gjumë herëpashere vijnë aso zgjidhjesh çfarë nuk ka qenë e mundur të zgjidhen në gjendje të zgjuar.
Se gjumi me të vërtetë është dhunti e çmuar e Allahut të madhërishëm për zhvillimin normal të aktivitetit psiqik vërtetojnë edhe eksperimentet e bëra me vullnetarë të cilëve u ishte ndërprerë gjumi disa ditë me rradhë. Pas eksperimenteve ata u bënë të ngacmueshëm, të brengosur, përjetonin çrregullime emocionale deri te halucinacionet. Të gjitha këto vinin si pasojë e çrregullimit të metabolizmit të mediatorëve të trurit, që sjell, domosdo, desinkronizimin e punës së trurit dhe çrregullimin e psikës.

Gjatë procesit të gjumit ndodhin dy veprime fiziologjike tejet të vlefshme:
1. Veprime në sistemin nervor;
2. Veprime në organe të tjera të trupit.
Siç duket, gjatë qëndrimit një kohë të gjatë në gjendje të zgjuar, gjithnjë e më tepër çrregullohen funksionet e aktivitetit mental dhe sjelljet e njeriut. Dhe nëse një gjendje e zgjuar zgjat më tepër, atëherë njeriu do të përjetonte çrregullime emocionale, halucinacione e deri te ndryshimet në sferën psikike. Andaj supozohet se gjumi, si dhunti e madhe e Allahut të madhërishëm, edhe pse si fenomen fiziologjike ende enigmatik dhe i panjohur, vendos një ekuilibër apo barazpeshë normale ndërmjet pjesëve të ndryshme me ndjeshmëri fiziologjike dhe sistemit nervor qendror. Kjo mund të krahasohe me «kthimin në start ose në zero» të llogaritësve elektronik, të cilët, pas përdorimit, kthehen në pikën start pasi më parë e kanë humbur «vijën themelore» të veprimit të tyre.
Andaj, edhe pse nuk është vërtetuar përfundimisht se ç’vlerë ka gjumi në kuptimin funksional, megjithatë, në saje të ndryshimeve të njohura që ndodhin një kohë të gjatë gjatë gjendjes së zgjuar, mund të supozohet se gjumi kryen funksionin «kthimit në start ose në zero» të sistemit nervor, në mënyrë që të vendoset baraspesha fiziologjike ndërmjet qendrave nervore.
Shkencëtarët e Universitetit të Helsinkit, duke mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm zhvillimin e 4000 binjakëve, zbuluan se nëse njëri binjak sheh ëndrra të këqija, atëherë në afro 60% të rasteve po ato ëndrra i sheh edhe binjaku tjetër. Tek binjakët dyvezorë ky realitet zvogëlohet në 20%.
Shkencëtarët besojnë se në fenomenin e ëndrrave veprojnë gjenet, që janë identik te binjakët njëvezor.
Kur njeriun e zë gjumi atëherë ai transferohet nga një ligj në tjetrin. Derisa është në gjendje të zgjuar, njeriu i nënshtrohet ligjeve të caktuara. Ai i sheh gjërat të materializuara dhe vazhdon jetën duke logjikuar gjërat me mendjen e tij. Mirëpo gjatë gjumit ne jemi një botë tjetër, e cila nuk i nënshtrohet mendjes, logjikës apo rregullave të kësaj bote materiale. Realisht gjatë gjumit, ne dalim plotësisht nga ligjet e botës materiale.
Një gjë është shumë interesante: si sheh njeriu kur flen, kur sytë i ka të mbyllur ecën, kurse këmbët e tij nuk lëvizin? Si i përjeton gjërat, si e sheh vetën duke fluturuar nëpër hapësirën qiellore, ndonjëherë duke qeshur, ndonjëherë duke qarë? Me një fjalë, njeriu duke fjetur u nënshtrohet ligjeve të Allahut xh.sh. i cili i vendosi dhe i përsosi me mrekulli të veçantë për mirëqenien e njeriut, kurse shkenca dhe dituria njerëzore nuk arrin t’i kuptojë. Shkenca supozon se koha e angazhimit të trurit të njeriut në ëndërr zgjatë afër një orë apo edhe më shumë.
Këtë transferim nga ligji në ligj e përjeton secili prej nesh. Allahu i madhërishëm, si gjest mëshire për robët e Tij, deshi t’u tregojë se kur ata flenë Ai i transferon në botën e vdekjes. Pra ne ia dorëzojmë Atij shpirtin tonë, kurse pas zgjuarjes nga gjumi i Madhi Zot fuqiplotë na kthen përsëri shpirtin në jetë, kurse atyre që dëshiron ua ndalë e nuk ua kthen, siç bënë aluzion verseti kuranor:
“Allahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në një afat të caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon”
(Ez Zumer, 42)
Pra, transferimi i të gjithë neve, siç thamë më lart, nga një ligj në ligjin tjetër natyror bëhet çdo natë, pa e diktuar fare me ndjenja tona, që pastaj prapë me fuqinë absolute të Allahut xh.sh. të kthehemi në ligjin e parë, të cilit i nënshtrohemi kur jemi të zgjuar. Pra, çdo qenie njerëzore i nënshtrohet ligjit të gjumit, përveç Allahut xh.sh. i cili në Kur’an thotë:

”..Atë nuk e kapë as kotje as gjumë,…..”
(El Bekare, 255)

Nga kjo shihet qartë se gjatë gjumit në vetë qenien e njeriut ndikojnë shumë faktorë, të cilët i njohim fare pak, kryhen shumë veprime dhe procese të ndërlikuara biokimike, zbatohen shumë ligje e rregulla me ç’rast njeriu transferohet gjatë shtegëtimit të tij jetësor.
Intelekti i njeriut është i kufizuar dhe nuk mund t’i tejkalojë mundësitë dhe kompetencat e veta, nuk mund të arrijë t’i njoh ato gjëra të cilat Allahu xh.sh. i la të fshehta me qëllim të caktuar.
Kur flasim për fenomenin e gjumit nuk duhet harruar edhe një mrekulli të Allahut xh.sh. – mrekullinë e gjumit dimëror të disa shtazëve, të cilat zgjojnë kërshërinë e shkencëtarëve të sotëm.
Shembulli më interesant është eksperimenti Ralf Nelzonit, drejtor për hulumtime medicinale në Universitetin Çempejn të SHBA – ve, ku punon, që nga viti 1990 në Qendrën për Hulumtimin e Arinjëve. Asnjë shtaze nuk i nevojitet më pak përkujdesje gjatë dimrit se sa ariut të murmë amerikan (ursus americanus). Gjatë gjumit dimëror (kibernacioni) ariu nuk urinon dhe nuk kryen nevoja të tjera fiziologjike. Materialet e dëmshme të zbërthyera në organizëm, të cilat për shtazët e tjera dhe për njeriun janë helmuese – toksike, tek ariu zbërthehen në materie bazike kimike, të cilat shërbejnë për krijimin e albumineve të reja. Tërë sasia e ujit që i njevojitet aritu gjatë dimrit prodhohet në vetë organizmin e tij nga rezervat e yndyrës, të cilat ariu i depoziton gjatë muajve të verës. Gjumi i gjatë dimëror i ariut është enigmë e vërtetë për shkencëtarët, është një mrekulli e metabolizmit e cila, sipas biokimistëve, është çelësi i fshehtësisë për shërimin e shumë sëmundjeve të njerëzve, duke filluar nga veshkat e deri te sëmundjet e eshtrave.
Gjatë studimeve të tyre shkencëtarët u ballafaquan me fenomene tejet interesante që mezi i kupton logjika njerëzore. P.sh. temperatura trupore e ketrit amerikan gjatë kohës së kibernacionit ulet nga 36,7°C në gjithsej 1,1°C, ndërsa të rrahurat e zemrës nga 350 në minutë ulën në gjithsej dy të rrahura në minutë, kurse temperatura trupore e ariut të murmë nga 37, 8°C ulet në 33°C, ndërsa të rrahurat e zemrët nga 40 në tetë të rrahura në minutë.
Ralf Nelzoni zbuloi edhe një veti tejet interesante dhe të dobishme tek ariu. Ariut nuk i dobësohen eshtrat dhe nuk i humbë rezervat e kalciumit edhe pse gjatë gjithë gjumit të gjatë dimëror nuk lëviz fare. Ndërsa tek njerëzit e palëvizshëm ndodh e kundërta. Ata e humbin shpejt kalciumin nga eshtrat dhe marrin sëmundjen e quajtur osteoporosë. Edhe tek astronautët, në udhëtimet e tyre të gjata në kozmos, humbja e kalciumit është një problem serioz.
Shkencëtarët supozojnë se shtazët që i nënshtrohen gjumit dimëror kanë një substancë të ngjashme me morfiumin, e cila vepron në sistemin nervor duke e «aktivizuar» procesin nervor dhe duke «aktivizuar» procesin e kibernacionit.
Mendohet se në të ardhmen substanca e përmendur, duke e izoluar nga shtazët e përmendura, do t’i shërbejë njeriut gjatë operimeve kirurgjike, gjatë transplatimit të organeve si dhe në trauma të rënda të kokës.
Këto që theksuam na bëjnë që ta kuptojmë më lehtë edhe një mrekulli madhështore të Allahut të lavdishëm në ndodhinë e djelmoshave të shpellës , të përshkruar në “Suren Kehf” (Kaptinëna e Shpellës), të Kur’anit famëmadh. Ai vërtetë është një rrëfim i çuditshëm, në të cilin manifestohet një mrekulli e madhe Hyjnore.
Ata ishin disa djelmosha të rinj, besimtarë që u larguan nga vendlindja me qëllim që ta ruajnë besimin dhe u strehuan në një shpellë, ku qëndruan 309 vjet. Pastaj Allahu i zgjoi prej atij gjumi aq të gjatë.
T’i lexojmë versetet kuranore:
“Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!”Ne u vumë mbulojë mbi veshët e tyre (i vumë në gjumë) në shpellë për disa vite me radhë.”
(El Kehf, 10 – 11)

Për të treguar se edhe kjo mrekulli ishte argument i Allahut xh.sh. na shërben verseti kuranor:
“Dhe ti e shihje diellin, kur lindte bartej prej shpellës së tyre nga ana e djathtë, e kur perëndonte largohej nga ata nga ana e majtë, e ata ishin në një vend të gjerë të saj. Kjo ishte një nga argumentet e All-llahut. Atë që e udhëzon All-llahu, ai vërtet është udhëzuar, e atë që e humb, ti nuk do të gjesh për të ndihmës që do ta udhëzonte.”
(El Kehf, 17)

Për të mos u lënduar njëra anë e trupit të tyre, Allahu i rrotullonte sa në të djathtë, sa në të majtë.
“Do të mendoje se ata janë të zgjuar, ndërsa ata ishin të fjetur, e Ne i rrotullonim herë në krahun e djathtë e herë në të majtin…..”
(El Kehf, 18)

Duke na rikujtuar se ndodhia e gjumit të djelmoshave të shpellës nuk është e vetmja mrekulli e Allahut të gjithëfuqishëm, i Cili ka fuqi mbi çdo send, urdhëron e thotë:
“A mos mendove ti se ata të vendosurit e shpellës dhe Rekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme?”
(El Kehf, 9)

Sa do që shkenca hulumton, zbulon dhe përpiqet të shpjegojë fenomenin e quajtur gjumë, ky edhe më tej mbetet enigmë dhe sigurisht shkencës i nevojitet edhe shumë kohë që ta thotë fjalën e vet të fundit mbi fenomenin e gjumit, e sidomos të ëndrrave.
Sa i përket ëndrrave, po i theksojmë disa hadithe të Muhammedit s.a.v.s.
“Profetësia dhe shpallja e Allahut janë të përfunduara. Pas meje profet dhe lajmëtarë të tjerë nuk ka”. Kjo u erdhi rëndë njerëzve që e dëgjuan. Duke e parë këtë, Pejgamberi s.a.v.s. vazhdoi: “Por, ngecin lajmet e tjera dhe paralajmërimet”.
Dikush pyeti:“E ç’janë ato paralajmërime,Pejgamberi i Allahut? “
“Ëndrrat e besimtarëve”, – u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s.. “Ato janë e dyzeta pjesë e profetësisë”.
(Ahmedi, Tirmidhiu)

Ëndrrat dhe përshkrimin e tyre të bukur e hasim në kaptinën Jusuf, siç thotë verseti i Kur’anit:
“(përkujto) Kur Jusufi, babait të vet i tha: “O babai im, unë pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje dhe diellin e hënën, i pashë duke më bërë mua sexhde!”
(Jusuf, 4)

Jakubi a.s. ia tërheq vërejtjen të birit të mos iu tregojë vëllezërve çka kishte parë ëndërr, sepse nga zilia mund ta dëmtonin Jusufin a.s. siç bën aluzion verseti i Kur’anit fisnik:
“Ai (Jakubi) tha: “O biri im, mos u trego ëndërrën tënde vëllezërve tu, se po të bëjnë ndonjë dredhi, s’ka dyshim, djalli për njeriun është armik i hapët”.
(Jusuf, 5)

Allahu i madhërishëm ia mësoi Jusufit a.s. mënyrën e interpretimit të ëndrrave siç konfirmon Kur’ani famëmadh:
“Ja, kështu Zoti yt të zgjedh ty, ta mëson interpretimin e ëndrrave,….”
(Jusuf, 6)

Në burg, Jusufi a.s. iu shpjegon shokëve të tij domethënjen e ëndrrave që i shihnin ata. Këtë e përshkruan shumë bukur artistikisht verseti i Kur’anit në vazhdim:
“Së bashku me të hynë në burg dy të rinj. Njëri prej atyre dyve tha: “Unë ëndërrova veten se po shtrydhi (rrush për) verë”. E tjetri tha: “Unë ëndërrova se po bart mbi kokë një bukë nga e cila hanin shpezët”. Na trego komentimin e saj, se ne të konsiderojmë nga komentuesit e mirë (të ëndrrave).”
(Jusuf, 36)

Ëndrrat janë simbole, andaj Allahu i gjithdijshëm i kishte dhënë njohuri Jusufit a.s. për shpjegimin e kësaj simbolike. Ai ishte aq i saktë në shpjegim, sa fjalët e tij realizoheshin ashtu siç i kishte thënë.
Të rikujtojmë versetin e Kuranit famëmadh:
“O shokët e mi të burgut! Njëri prej juve dyve do t’i japë të pijë verë zotëriut të vet, e tjetri do të varet, kurse shpezët do të hanë nga koka e tij. Çështja për të cilën kërkuat shpjegim, ka marrë fund (kështu).”
(Jusuf, 41)

Në vazhdim të kaptinës Jusuf, përsëri mbreti i Egjiptit, Rejjan bin Velid e sheh ëndrrën dhe kërkon prej dijetarëve të oborrit t’ia tregonin domethënjën e saj, mirëpo ata, duke mos qenë në gjendje t’ia shpjegonin, ia zhvlerësuan atë ëndërr. Përsëri del në skenë Jusufi a.s. i cili në mënyrë të mrekullueshme ia shpjegoi sinjalet e ëndrrës.
Lidhur me këtë të shohim se ç’na thonë versetet e Kur’anit famëmadh:
“O Jusuf, o ti i drejtë, na shpjego për shtatë lopë të dobëta që i hanin shtatë lopë të majme, dhe shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tharë, e ndoshta po kthehem te njerëzit (me përgjigje), ashtu që edhe ata ta kuptojnë (vlerën dhe dijen tënde)!”
(Jusuf, 46)

Ja, përsëri para botës simbolika ëndërrore, para misterit hyjnor, të cilin do ta zgjidhë me lehtësi Jusufi a.s. Zgjedhja e tij u bë realitet:
“i (Jusufi) tha: “Mbillni shtatë vjet vazhdimisht, e çka keni korrur lereni në kallinj, përveç një pakice nga e cila do të hani.Pastaj, do të vijnë shtatë (vjet) të vështira (me skamje) që do ta hanë atë që e keni ruajtur për to, përveç një pakice nga ajo që do ta ruani (në depo për farë).”
(Jusuf, 47 – 48)

Dhe në fund të kaptinës hasim realizimin e ëndrrës të kohës së fëmijërisë së Jusufit a.s. siç na përkujton verseti i Kur’anit në vijim:
“Dhe ai të dy prindërit e vet i mori lart në fron (i uli pranë vete), e ata iu përulën atij, e ai tha: “O ati im, kjo është domethënia e ëndrrës sime të mëparshme. Zoti im këtë tanimë e bëri realitet,….”
(Jusuf, 100)

Kur’ani fisnik na tregon me përshkrime të bukura ëndrrën e Ibrahimit a.s. i cili nuk kurseu asgjë për të përmbushur premtimin që ia kishte dhënë Allahut të madhërishëm. Për këtë qëllim ai deshi të flijonte edhe të birin, djalin e vetëm që e kishte, vetëm për t’i qëndruar besnik Allahut xh.sh.
Lidhur me këtë, ja si thotë verseti i Kur’anit në vijim:
“Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve!”
(Es Saffat, 102)

Ky ishte realizimi i ëndrrës, ishte sakrifica më e lartë njerëzore, ishte sprova më e qartë, të cilën Allahu i madhërishëm e bëri shembull të besnikërisë dhe devotshmërisë për gjeneratat e ardhshme:
“Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët!”
(Es Saffat, 104 – 105)

Allahu i madhërishëm e bëri realitet edhe ëndrrën e Muhammedit s.a.v.s. në të cilën ai kishte parë se do të hynte në Mekkë. Kët ë na tregon verseti i Kur’anit të lavdishëm:
“All-llahu ëndrrën e të dërguarit të Vet e vërtetoi me realitet: se me vullnetin e All-llahut do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar,….”
(El Fet’h, 27)

Muhammedi s.a.v.s. më së bukuri bënte shpjegimin e ëndrrave. Këtë e vërtetojnë shumë hadithe. Këtu po i cekim disa prej tyre:
“Një natë pashë ëndërr se ndodheshim në shtëpinë e Utbe ibn Rafiut dhe se na gostitën me fik të freskët të Ratba ibn Tabait. Këtë e interpretova si sukses tonin në këtë botë dhe në botën tjetër dhe që feja e jonë është e amshuar”.
(Muslimi)

Abdullah ibn Omeri r.a. tregon se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
“Natën e kaluar kam parë ëndërr se kam shkuar në Qabe dhe e kam parë një njeri me fytyrë të skuqur; një njeri nga ata njerëzit më të bukur që mund të takohen dhe me flokë të bukur kaqurrel, që mund t’i shihni. I krehte flokët duke i lagur me ujë, pastaj duke u mbështetur në supet e dy njerëzve të tjerë, sillej rreth Qabes. Kur pyeta se kush është ai, më thanë se ishte Isai a.s. i biri i Merjemes”.
(Buhariu, Muslimi)

Shpeshherë Muhammedi s.a.v.s. i ka pyetur sahabët e vet çka kanë ëndërruar. Edhe vetë ka shpjeguar shumë ëndrra që i shihte. Nuk duhet harruar momentin kur Muhammedi s.a.v.s. u konsultua me shokët e tij për çështjen e thirrjes në namaz. Ezani u vendos si ligj i sheriatit në bazë të ëndrrës që e kishte parë Omer ibn Hattab r.a.
Përveç Ibn Sirinit, si komentues i shquar i ëndrrave numërohet Abdul Gani Nabulusi. Ky autor i ndanë ëndrrat në të vërteta dhe të pavërteta. Ëndrrat e pavërteta (të rreme) janë:
1. fjalët e nefsit (dëshirës ilegale), ambiciet dhe preokupimet e tij;
2. ëndrra e quajtur hulm. Është ëndërr kur njeriu bie në gjumë i papastër (xhunub). Ky lloj i ëndrrave nuk komentohet;
3. ëndrrat e frikshme si ramje në humnerë, ndjekje, persekutime, etj.;
4. ëndrrat e tmerrshme, si pasojë e nxitjeve të shejtanit. Ky tip ëndrrash në të cilat frikësohemi nuk do të na bëjë dëm nëse i themi fjalët që na preferon Muhammedi s.a.v.s.,:
“Më shpëtoftë i Madhi Allah nga hidhërimi e nga dënimi i Tij, nga robtë e prishur, nga mashtrimi dhe prania e shejtanit”
(Tirmidhiu, Nesai)

5. ëndrrat e rreme, në të cilat paraqitet vet shejtani (djalli);
6. ëndrrat si pasoje e çrregullimeve të organizmit, p.sh. temperature e lartë, etj.;
7. ëndrrat, si pasojë e dhembjeve trupore.

Ëndrrat e vërteta ndahen në pesë grupe:

1. ëndrrat e vërteta të pejgamberëve, siç kemi theksuar më lart;
2. ëndrra e mirë, e cila është gëzim dhe dhuratë nga Allahu i madhërishëm, sikurse thotë Muhammedi s.a.v.s.: “Më së miri që ndojëri prej jush mund të ëndërrojë është ëndërrimi i Allahut, i të dërguarve të Allahut dhe i prindërve të vet besimtarë”;
3. ëndrra, të cilën ta tregon meleku Siddikun, e mësuar nga Levhi Mahfudhi (kozmokompjuteri) Hyjnor;
4. ëndrra e quajtur mermezeh, d.m.th. ëndërr që bën aluzion në diçka. P.sh. kur njeriu sheh ëndërr melekun që thotë: “Bashkëshortja jote dëshirojë të të helmojë me dorën e filan mikut”. Me këtë shpirti i melekut bën aluzion se miku i tij është duke bërë prostitucion me bashkëshorten e tij;
5. ëndrra, të cilën duhet shpjeguar. P.sh. nëse dikush ëndërron duke i rënë ndonjë vegle muzikore në xhami ai do të pendohet dhe do t’i kërkojë falje Allahut të madhërishëm dhe do të heq dorë nga veprat e këqija, nga gjërat e shëmtuara dhe do të përmendet për të mirë. Apo, ai që sheh ëndërr duke lexuar Kur’an në banjo do të shquhet si njeri i prishur.

Muhjuddin Ibn Arebiu në librin e tij Fusus al Hikem (Margaritarët e mençurive profetike) transmeton hadithin nga Aisha r.a. e cila thoshte:
“Shenja e parë e revelatës hyjnore të Muhammedit s.a.v.s. ishin ëndrrat reale. Prej atij momenti çdo ëndërr i dukej si lindje e ditës së re, në të cilën nuk kishte asnjë gjurmë errësirë”.
Kjo gjendje, thekson ajo, zgjati 6 muaj, pas së cilës erdhi Xhibrili i shpalli Kur’anin.
Çdo gjë që ndodh në ëndërr, thekson më tej Ibn Arebiu, krijon botën imagjinative (alem al-hajal), dhe ajo botë përmbanë simbolikën. Kështu p.sh. sipas Muhammedit s.a.v.s., qumështi simbolizon diturinë. Mu sikurse Jusufi a.s. që i pa vëllezërit e tij në formë të yjeve, ndërsa prindërit në formë të Diellit dhe Hënës.
Ibn Arebiu në librin e tij: “Druri i ekzistencës”, i paraqet ëndrrat si shembull për dënim apo shpërblim në botën tjetër, pas vdekjes. Andaj edhe pse nuk shihet dhe nuk dëgjohet dënimi apo shpërblimi i njerëzve që kanë vdekur, poashtu nuk dëgjohet dhe nuk shihet dënimi apo shpërblimi i njeriut kur ëndërron. Për këtë Allahu i madhërishëm na rikujton në Kur’anin famëmadh:
“Por pak jeni duke marrë mësim”.
(Gafir, 58)

Shpjeguesit e ëndrrave kanë bërë një art special dhe një diciplinë të veçantë, për të cilën nevojitet njohuri, kuptime dhe meditime, e cila kërkon studimin e personit dhe rrethanat në të cilën jeton personi i cili ka ëndërruar, njohja e traditave, mentalitetit dhe zakoneve të popullit të cilit ai i takon. Nëse bëhet fjalë për arabin, atëherë nevojitet njohja e literaturës arabe dhe kulturës e civilizimit e posaqërisht Kur’anit dhe Hadithit.
Shpjeguesi i ëndrrës nuk mund të kufizohet në përkthimin e simbolit të caktuar me shpjegim përkatës ashtu siç bëjnë njerëzit e rëndomtë kur konsultojnë librat e shpjegimit të ëndrrave, por duhet bërë një operim të tërë, duke vendosur ëndrrën në kontekstin e tij të plotë dhe në kornizën e gjallë të tij.
Andaj teoria e Frojdit mbi ëndrrat është tërësisht e gabuar. Ai, si dhe teorikët tjerë materialist, të gjitha gjërat i kanë vështruar nga prizmi i materjes. Të gjitha ëndrrat Frojdi i ka përfshirë në një manifestim të ndërdijes.
Nuk kam dyshim se disa ëndrra paraqesin dëshmi të ndërdijes dhe janë një formë e një ure lidhëse në mes dijes dhe ndërdijes.
Këtë e vërtetojnë edhe fjalët e Pejgamberit s.a.v.s. “Atë çfarë njeriu i flet vetës e sheh në ëndërr”.
Këtë lloj të ëndrrave në mënyrën më të bukur e kanë shpjeguar dijetarët islam në shumë vepra të tyre, por gabimi kryesor i Frojdit qëndron në atë që ka menduar se të gjitha ëndrrat duhet shpjeguar me një princip të njejtë.
Gjatë historisë së islamit, përveç shpjegimeve të ëndrrave të cilat i kanë bërë dijetarët islam, kanë ekzistuar edhe njerëz të rëndomtë të cilët me sukses kanë depërtuar në ndërdijen e njerëzve duke zbuluar fshehtësitë e tyre me shpjegimin e ëndrrave.
Njëri prej shpjeguesve më të njohur të ëndrrave ka qenë Ibn Sirini. Ai analizën e psikës njerëzore përmes ëndrrave e ka filluar para 13 shekujve.
Pas tij u paraqit imami i madh Abdul Gani en Nabulusiu, i cili me ndihmën e diturisë të cilën ia dhuroi Allahu i madhërishëm, kësaj dicipline i dha një frymë shkëlqyese dhe bukuri të madhe.
Parase të flasim mbi shpjegimin e ëndrrave në islam në bazë të psikoanalizës, duhet të përqëndrohemi në dy aspekte të kësaj çështje:
a) lidhshmëria e gjumit dhe ndjenjave:
Ndjenjat fetare dhe kulturore të pjesëtarëve të secilit popull dallojnë nga ndjenjat e popujve tjerë. P.sh. është dallimi tejet i madh në mes ndjenjave të një muslimani të edukuar në frymën islame dhe një japani budist. Natyrisht që ëndrrat e muslimanëve janë të përziera me ndjenjat e tija islame dhe nacionale dhe që ëndrrat e japanit budist korrespondojnë me rrethanat përkatëse fetare dhe nacionale të atij nënqielli. Personi i cili shpjegon ëndrrën mund ta kryej detyrën e tij me sukses vetëm nëse i njeh mirë ndjenjat fetare, kulturore dhe nacionale të personit i cili ëndërron. Për këtë shpjeguesit musliman të ëndrrave bazohen së pari në versetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. me të cilët edhe bazohet gjendja emocionale e një muslimani.
Frojdi mendon se ata të cilët kanë nivel të njejtë të arsimimit në ndërdijën e tyre shërbehen me simbole dhe shenja të ngjashme ose të njejta të cilat nëpërmes të ëndrrave të tyre duhet zbuluar.
b) simbolet dhe aluzionet në gjumë:
Për shkak të refleksit të papërshtatshëm në shoqëri si dhe normave moraloetike të përgjithshme, ndërdija nuk lejon që përmbajtja e saj të manifestohet në gjumë në formën e saj reale. Për këtë mendimet e fshehura paraqiten në forma të ndryshme, në forma të simboleve dhe aluzioneve. Shpjeguesi i ëndrrës duhet të jetë veçanërisht i ndjeshëm dhe i aftë që nga elementet e paraqitura të ëndrrës përplot simbole dhe aluzione , të jetë i suksesshëm të zbuloi të vërtetën e cila fshihet pas tyre duke i dhënë kuptim të vërtetë dhe të plotë shpjegimit të ëndrrës.
Mënyra e komunikimit në atë botë të ndërdijes, gjithsesi ndryshon qenësisht nga mënyra e komunikimit në botën reale në të cilën jemi mësuar. Për këtë, meqë nuk mundemi lehtë ta kuptojmë mesazhin e dërguar në gjuhën e ndërdijes, duhet të mundohemi të deshifrojmë dhe shënojmë me shenjat tanë. Gjuha e ëndrrave, meqë përbëhet nga shenjat dhe simbolet, mund ta krahasojmë me gjuhët e vjetra siç janë gjuha e vjetër egjiptase, kaldeike apo meksikane, kështu që çdo herë këto simbole mu sikur hieroglifet duhet të shpjegohen dhe tregohen tek ne me shenjat ekzistues. Në një hadith, Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ëndërrat kanë epitetin e tyre të veçantë, andaj quani dhe shpjegoni sipas tyre”.
Nëse forma e brendshme kthehet dhe paraqitet në formën e dukshme, ne këtë e quajmë ëndërr, ndërsa në rastin e kundërt, kur imazhi i dukshëm ndryshon dhe kalon në formën e brendshme të fshehët këtë ne e quajmë analizë.
Tani do të paraqesim disa shembuj të ëndrrave që janë interesant për psikoanalizën islame:
1. Një njeri i tregoj Ali ibn Husejnit r.a.: “Ëndërrova duke urinuar në dorën time!” – “Je martuar me gruan e ndaluar” – i tha Aliu. Kur pas kësaj hulumtuan rastin, vërtetuan se gruaja ishte me fis nga qumështi. Në këtë ëndërr shohim se dora, e cila siç e dimë është një pjesë e trupit të njeriut, është simbol për motrën e cila është anëtare e familjes, ndërsa urina simbolizon spermën, kështu që imam Aliu r.a. urinimin në dorë e shpjegoi bashkëjetesën me gruan e ndaluar. Nëse njeriu në këtë rast e ka ditur se gruaja me të cilën jeton në realitet motra, ëndërra është një psikotest dhe vëretje e ndërdijes. Por, nëse ai këtë nuk e di, atëherë ëndërra kuptohet si inspirim.
2. Transmetohet që një njeri erdhi te Ibn Sirini duke i thënë: “ëndërrova duke quruar vezën, të kuqin e hudhësha, ndërsa të bardhin e vezës e haja”. Ibn Sirini i tha: “Ky njeri plaçkitë varrezat e të vdekurve”! Kur e pyetën se si e shpjegoi këtë, u përgjigj: “Veja simbolizon varrin, i kuqi i vezës trupin, ndërsa i bardhi qefinat e të vdekurit, të cilat ky i shet”. Mashtrimi i njeriut në fjalë i cili natën plaçkiste varrezat duke vjedhur qefinët u paraqit në formë ëndërre por me formë të ndryshuar nga ndërdija e tij. Shpjeguesi me përvojë, Ibn Sirini me sukses e shpjegoi këtë ëndërr duke e zbuluar fshehtësinë.
Këta shembuj të shpjegimit të ëndërrave që i përmendëm tregojnë se psikotestet dhe kërkimi me ndërdijen e njeriut nëpërmjet shpjegimit të ëndrrave nuk është gjë e re të cilën e ka menduar Frojdi. Në mesin e muslimanëve kanë ekzistuar njerëz të zgjedhur dhe individ të ditur të cilët shumë para Frojdit e kanë zbuluar këtë metodë.
Te Ibn Sirini erdhi një njeri duke i thënë: “Ëndërrova që në shtëpinë time hyri një gjel dhe i hëngri disa kokërrza elbi”. Ibn Sirini i tha: “Kur të vjedhet diç nga shtëpia eja tek unë”. Pas disa ditësh erdhi ky njeri tek Ibn Sirini dhe i tha: “Nga shtëpia më është vjedhur sexhadeja”. Ibn Sirini i tha: “Ta ka vjedhur muezini”. Njeriu shkoi tek muezini dhe kërkojë që t’ia kthej sexhaden i cili pas një konflikti të shkurtër ia kthej.
Shohim se kjo ëndërr ofroi dy informata të panjohura, njëra që do të ndodhë vjedhja dhe tjetra – aktorin e ngjarjes.
Pra, mundemi të konkludojmë që ekzistojnë ëndërra të cilat nuk mund t’i shpjegojmë sipas rregullave të psikoanalizës dhe mësimit materialistik.
Këto mund t’i shpjegojnë vetëm njerëzit që njohin dhe besojnë në botën jashtë natyrës së dukshme dhe materien.
Aspekti jo materialistik dhe inspirimi shpirtëror në disa ëndërra janë aq të rëndësishëm, siç kemi theksuar më parë, andaj Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ëndërra e vërtetë e besimtarit është një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë”.
(Ahmedi, Tirmidhiu)

Mendojmë se për fenomenin e gjumit dhe të ëndrrave duhet të shkruhet edhe më tepër nga aspekti islam, sepse është mëkat për besimtarët që për shpjegimin e ëndrrave të kërkojnë përgjigje në komentet e mistifikuara dhe jo reale.
Në fund mund të konkludojmë se gjumi, si fenomen tejet interesant shkencor, duhet kuptuar si mrekulli dhe mëshirë të Allahut të madhërishëm, si pushim të organizmit, e veçanërisht si pushim të sistemit nervor, në mënyrë që të nesërmen të jemi të gatshëm për kreativitet të begatshëm, duke përfituar nga dhuntitë e shumta të Gjithëkrijuesit, por njëherit duke e falënderuar vazhdimisht, siç na mëson verseti i Kur’anit në vijim:
“Po mëshira e Tij u bëri juve natën dhe ditën për të pushuar në të dhe për të përfituar nga begatitë e Tij, prandaj, të jini mirënjohës!.”
(Kasas, 73)

Përktheu dhe përshtati: Prim.dr.sci.med. Ali F. Iljazi (r.a)

Related posts

I ftohti ka anët e tij pozitive: 9 arsye pse dimri është i mirë për shëndetin

admin

Parandaloni sulmin në zemër duke konsumuar dy mollë në ditë

admin

Nga etja, urinimi te infeksionet: Shenjat që po ju paralajmërojnë se keni diabet

admin