Një gjykatë administrative franceze të mërkurën pezulloi ndalimin e vendosur të martën ndaj një demonstrate propalestineze të planifikuar për në mbrëmje në Paris, duke lejuar zhvillimin e tubimit, transmeton Anadolu.
Gjykata tha se demonstrata nuk përbën “cenim të rendit publik”.
Tubimi, i thirrur nga kolektivi “Urgence Palestine” “kundër gjenocidit në Gaza dhe për respektimin e armëpushimit”, mund të zhvillohet të mërkurën në mbrëmje.
Kreu i policisë së Parisit, Patrice Faure, kishte ndaluar demonstratën të martën me kërkesë të ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, duke iu referuar “rreziqeve të konsiderueshme për rendin publik”.
Faure tha se vendimi bazohej gjithashtu në një “kërcënim të lartë terrorist” dhe në ato që i cilësoi si akte antisemite që “mbeten në nivele historikisht të larta” në gjithë Francën.
“Në dritën e kësaj dhe duke marrë parasysh të gjitha rreziqet e identifikuara, është përgjegjësia ime të garantoj sigurinë e të gjithëve. Prandaj, kam vendosur ta ndaloj këtë demonstratë”, tha Faure në platformën amerikane X.

