Gjykata Kushtetuese në Belgjikë ka justifikuar kërkesën për anulimin e dekretit që ndalon financimin nga jashtë për objektet e kultit në rajonin flaman të vendit, transmeton Anadolu.
Në rajonin flaman, një nga strukturat federale të Belgjikës, më 22 tetor 2021 u lëshua një dekret “që rregullon njohjen e komuniteteve fetare lokale, detyrimet e institucioneve fetare dhe monitorimin e këtyre detyrimeve si dhe ndryshimin e dekretit të 7 majit 2004 për organizimin material dhe funksionimin e vendeve të njohura të besimit”.
Fondacioni i DIYANET-it Islam në Belgjikë, Unioni i Xhamive Shqiptare të Belgjikës, Federata Islame Belge dhe Unioni Musliman Belg, u ankuan në Gjykatën Kushtetuese kundër këtij dekreti.
Në vendimin e datës 20 korrik 2023, Gjykata Kushtetuese e gjeti të justifikuar kërkesën me arsyetimin se “u cenua liria fetare” dhe anuloi disa nene të dekretit. Gjykata vendosi se dekreti i rajonit flaman, i cili ndalon mbështetjen ose financimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë të vendeve të adhurimit nga jashtë, është jokushtetues dhe kundër lirisë së fesë dhe kultit.
Në vendimin e gjykatës thuhej se dispozita që financimi dhe mbështetja nga jashtë do të minonin pavarësinë e komuniteteve fetare lokale nuk ishte mjaft e qartë dhe se kjo ishte “një ndërhyrje joproporcionale në lirinë e kultit”. Bordi Koordinues Islam i Belgjikës deklaroi se e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në deklaratën lidhur me këtë temë, thuhet se Komuniteti Musliman Belg, i përfaqësuar nga Bordi Koordinues Islam belg, është i kënaqur me këtë vendim, i cili respekton lirinë e besimit, sundimin e ligjit dhe rregullat në fuqi në një shtet demokratik.
Dekreti i qeverisë flamane në vitin 2021 ndaloi financimin e vendeve të kultit nga jashtë vendit. Ky ndalim përfshinte edhe pagesën e pagave të imamëve që punojnë në xhami. Me vendim u hap rruga për financimin transparent të institucioneve fetare dhe objekteve fetare nga jashtë.
Që nga dalja e dekretit, ka patur probleme në njohjen e xhamive të lidhura me Fondacionin Fetar Belg dhe pagimin e pagave të imamëve.