Një vajzë thotë:
Mu mërzit puna, vetja, familja dhe rrethi. U largova nga të gjithë. Arrita që dynjanë ta urrej deri në atë gradë, saqë të lutem për vdekjen time. A ka diçka më të madhe se sa njeriu t’i japë përparësi vdekjes para jetës?!
Adhurimet filluan të më duken të rënda. Personaliteti im filloi të ndryshohet për njëqind shkallë. Isha një vajzë e dashur, kurse tash u shndërrova në një njeri me gjuhë të ligë, me sjellje të keqe. Kështu vazhdova një vjet e gjysmë, derisa filloi të më dobësohet shëndeti dhe të humbë në peshë, edhe atë për 15 kg.
Nuk mundesha të fle asnjë natë pa qarë. Lotët sikurse u bënë shtylla kryesore e gjumit tim.
Një ditë nga ditët, u futa në një forum dhe e lexova një artikull për istigfarin (kërkimfaljen) dhe argumentet që kanë ardhur rreth tij. Vendosa të bëj sa më tepër istigfar. Fillova mirë, mirëpo më vonë fillova të harroj. E dija se kjo është lojë e shejtanit dhe se ai do të më largojë nga istigfari. Isha e vendosur fort ta ndryshoj jetën time. Fillova të koncentrohem fort dhe në çdo vend ku shkoja dhe në çdo gjendje që isha, bëja istigfar.
Pas një jave, buzëqeshja u kthye në fytyrën time. Të gjithë u çuditën me mua.
Ajo vajzë e cila ishte e pikëlluar dhe e keqe në sjellje, filloi të ndryshojë. Buzëqeshja iu kthye në fytyrë, sjellja iu ndryshua dhe shpirti iu qetësua.
Po, pasha Allahun! Fillova të jem e kënaqur me jetën time. Jo se i realizova ëndrrat, por Allahu më furnizoi me zgjerimin e gjoksit tim. Kjo është begatia më e madhe, të cilën nuk e ndjen vetëm se ai që e ka humbur! Kështu vazhdova tre muaj rishtazi, derisa Allahu më furnizoi me një punë që nuk e ëndërroja asnjëherë më parë. I përmirësova raportet me Allahun, u bëra më e afërt me Të dhe çdo herë kur ndjej brengë, e lexoj suren El-Bekare. Ajo ma largon brengën dhe më qetëson në shpirt!
Istigfari jep fryte mahnitëse! Mos e lini pas dore! Ai të qetëson në shpirt, të jep rehati, të sjell furnizim, t’i largon brengat dhe pikëllimet, ta kthen buzëqeshjen, ta kënaq zemrën, të mundëson që jetën ta shohësh me një sy tjetër, që rrallë të tjerët e shohin ashtu! Ai të afron tek Allahu dhe ta mundëson të jesh i kënaqur me caktimin e Tij. Gjynahet t’i pastron, mëkatet t’i lanë, gradat t’i rritë dhe në mesin e krijesave të dallon.
Allahu i Madhëruar thotë: “E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh: 10-12)
Nga arabishtja: Irfan JAHIU