Greqia ka akuzuar Maqedoninë e Veriut për irredentizëm, duke thënë se udhëheqësia e Maqedonisë së Veriut po largohet nga marrëdhëniet e mira fqinjësore.
“Udhëheqësia e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta shkelë Marrëveshjen e Prespës. Për më tepër, ajo u kthehet veprimeve të së kaluarës që sugjerojnë irredentizëm dhe një injorancë të plotë mbi historinë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme greke.
“Udhëheqja e Maqedonisë së Veriut po largohet gjithnjë e më shumë nga marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që përbëjnë ‘acquis-in’ evropian (tërësinë e detyrimeve ligjore) dhe të drejtën ndërkombëtare”, thuhet më tej në reagim.
Të enjten, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, tha në X se kishte takuar një delegacion maqedonas etnikë nga “Maqedonia e Egjeut”, duke iu referuar rajonit verior të Greqisë, Maqedonisë.
Marrëveshja e Prespës e vitit 2018 rezultoi me riemërtimin e Maqedonisë në Maqedonia e Veriut dhe hapi rrugën për anëtarësimin e saj në NATO.