RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Grupi Huthi i Jemenit pretendon kontrollin mbi gjashtë rrethe në provincat Taiz dhe Al-Hudajdah

grupi-huthi-i-jemenit-pretendon-kontrollin-mbi-gjashte-rrethe-ne-provincat-taiz-dhe-al-hudajdah

Grupi Huthi i Jemenit pretendoi të premten se forcat e tij kanë marrë kontrollin e gjashtë rretheve në provincat perëndimore Taiz dhe Al-Hudajdah, duke përfshirë një sipërfaqe totale prej 5.400 kilometrash katrorë, gjatë një operacioni ushtarak të nisur më 3 shtator, transmeton Anadolu.

Pretendimi u bë në një deklaratë me video nga zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Saree.

Saree tha se Huthit nisën një operacion ushtarak në shkallë të gjerë më 3 shtator nga disa drejtime, me qëllim dëbimin e forcave kundërshtare nga disa pjesë të bregdetit perëndimor të Jemenit.

Ai tha se operacioni rezultoi në “dëbimin” e këtyre forcave nga “gjashtë rrethe në provincat Taiz dhe Al-Hudajdah, me një sipërfaqe totale prej 5.400 kilometrash katrorë”.

Ai nuk i emërtoi rrethet, por pretendoi se ato tani janë bërë “të sigurta dhe të qëndrueshme”.

Saree pretendoi gjithashtu se forcat Huthi kanë shënjestruar shtatë divizione ushtarake, të përbëra nga 38 brigada, duke vrarë, plagosur dhe kapur qindra pjesëtarë të tyre.

Ai më tej pretendoi se operacioni ka çuar në lirimin e një numri të burgosurish Huthi, të cilët ishin mbajtur prej vitesh në bregdetin perëndimor.

Zëdhënësi tha gjithashtu se forcat Huthi kanë kryer 32 operacione kundër avionëve luftarakë dhe kanë rrëzuar nëntë mjete ajrore.

Lidhur me lundrimin detar, Saree tha: “Konfirmojmë se lundrimi detar është i sigurt për të gjitha kompanitë, përveç anijeve saudite”.

Në deklaratën e tij, zëdhënësi i Huthive i përshkroi forcat me të cilat janë përballur në gjashtë rrethet si “saudite”, një etiketim që grupi e ka përdorur gjithnjë e më shumë për forcat e qeverisë jemenase.

Arabia Saudite mohon se ka forca tokësore në Jemen dhe thotë se roli i saj kufizohet në mbështetjen e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht dhe sigurimin e kufijve të saj.

Nuk pati menjëherë koment nga Arabia Saudite apo forcat e qeverisë jemenase lidhur me pretendimet e Huthive.

Bregdeti perëndimor ka rëndësi strategjike pasi shtrihet përgjatë Detit të Kuq dhe ndodhet pranë Ngushticës Bab el-Mandeb, një prej rrugëve detare ndërkombëtare më të rëndësishme në botë.

Kontrolli territorial në Jemen ka ndryshuar ditët e fundit, ndërsa përplasjet mes forcave qeveritare dhe Huthive janë intensifikuar që nga fillimi i korrikut, pas vitesh qetësie relative.

Related posts

Engjelli amerikan që humbën shqiptarët

Irfan Jahiu

Slloveni, prifti padit kreun e Kishës Ortodokse Serbe për dhunë

RTI

Hyjnë në fuqi ligje të reja për armëmbajtjen në New York

admin