Grupi nismëtar serb i peticionit për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq i ka dorëzuar nënshkrimet te kryetari i kuvendit komunal.
Peticionet e nënshkruara i janë dorëzuar kryesuesit të Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin.
Ugljanin për Tëvë1 ka bërë të ditur se i ka pranuar 4 mijë e 148 nënshkrime.
Ndërkohë, pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tri ditë kohë për t’ia përcjellë atë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikim.
Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.