Thirrja: “A do të bëjmë diçka? E ardhmja e të gjithëve ne është në rrezik”
Duke iu drejtuar udhëheqësve botërorë të mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, tha se bota duhet të veprojë së bashku në një klimë “ndërvarësie” për të zgjidhur problemet.
“Ndarjet në botën tonë po thellohen”, tha Guterres, i cili po largohet nga detyra në fund të vitit, duke përmendur konfliktet gjeopolitike, krizën klimatike dhe zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale.
“Në vend që e ardhmja të vazhdojë të lëvizë drejt fragmentimit, marrëdhënieve të bazuara vetëm në interesa dhe mosbesim, ai bëri thirrje për “një botë të ndërtuar mbi ndërvarësinë – dhe të mbështetur nga një rrjet i dendur lidhjesh ekonomike, politike, sociale dhe teknologjike”, citohet ai nga The Guardian.
“A do të bëjmë diçka për të siguruar që pushteti të qeveriset nga ligji, jo nga forca?”, pyeti Guterres, duke paralajmëruar për rrezikun e ndarjes së botës në dy blloqe me sisteme të ndara dhe të pavarura ekonomike, teknologjike dhe sigurie. Ai përfundoi duke mbrojtur Kartën e Parimeve që qeveris institucionin dhe një besim: se pushteti më i madh “nuk është pushteti i dominimit, por pushteti për të ndërtuar një të ardhme që funksionon për të gjithë”.
Në një kontekst të shënuar nga luftëra të shumta të hapura, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së përmendi konflikte të tilla si ato në Palestinë, Ukrainë dhe Sudan. E ardhmja e përbashkët, tha ai, do të varet “nga sa mirë njerëzimi është në gjendje të menaxhojë pushtetin me maturi, të mbrojë ligjin përpara se pandëshkueshmëria të bëhet normë, t’i japë fund luftërave përpara se ato të shkatërrojnë breza të tërë, të luftojë pabarazinë përpara se shoqëritë të shemben, të përshpejtojë veprimet për klimën përpara se të kalojnë pikat kthese dhe të menaxhojë inteligjencën artificiale përpara se ajo të na menaxhojë ne”. Kjo është sfida me të cilën përballet kjo Asamble e Përgjithshme, Kombet e Bashkuara dhe vetë njerëzimi.
Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila konsiderohet si një nga takimet diplomatike më të rëndësishme në botë sepse mbledh udhëheqësit e shumë kombeve, fillon sot në Nju Jork.
Java e takimeve të nivelit të lartë, gjatë të cilave krerët e shteteve, krerët e qeverive dhe ministrat e jashtëm mblidhen çdo vit në selinë e OKB-së në Nju Jork, e cila ka 193 anëtarë, për të diskutuar çështje globale, do të mbahet këtë vit deri më 28 shtator. /tesheshi

