Pas dorëheqjes së Ahmed Raissouni-t, në krye të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë është zgjedhur Habib Salem Saqqaf Al-Jafri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Unioni thuhet se neni i rregullores së brendshme të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë që “Në rast se vendi i kryesisë zbrazet ose nëse ka ndonjë pengesë që kryetari të kryejë detyrën, kryesimin e merr njëri nga nënkryetarët aktualë deri sa të mblidhet asambleja e re e përgjithshme dhe të zgjidhet kryetari i ri”.
Në kuadër të kësaj, Bordi Administrues i Unionit, pas dorëheqjes së prof. dr. Ahmed Raissouni ka zgjedhur Habib Salem Saqqaf Al-Jafri për të udhëhequr Unionin deri në fund të dhjetorit kur do përfundojë dhe mandati aktual.
Më tej theksohet se takimi i Asamblesë së Përgjithshme të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë ku do të zgjidhet kryetari i ri do të mbahet në janar të vitit 2023.
Indoneziani Habib Salem Saqqaf Al-Jafri (68) ka përfunduar doktoraturën në fushën e Shkencave Islame në vitin 1986. Teksa në Indonezi ka mbajtur detyrën e ministrit të çështjeve sociale, Salem ka ushtruar detyrën edhe si akademik në Fakultetin e Shkencave Islame të Institutit Islam dhe shkencave arabe të lidhura me Universitetin “Syarif Hidayatullah” në Xhakarta dhe Universitetin Islam “Imam Mohammad Ibn Saud”.
– Deklarata e ish-kryetarit Raissouni për Saharanë Perëndimore shkaktoi reagime
Pasi Yuusuf Al-Qaradawi i cili ka kryer detyrën e kryetarit të Unionit që nga viti 2004 kur u themelua, deklaroi në asamblenë e përgjithshme që u mbajt në Istanbul në nëntor 2018 se nuk do të kandidonte, Ahmed Raissouni ndihmësi i Al-Qaradawi u bë kryetari i dytë i Unionit.
Raissouni në një program televiziv në muajin gusht në Marok dha deklarata lidhur me kryerjen e një operacioni nga Algjeria në rajonin Tinduf në kufi me Saharanë Perëndimore.
“Edhe ekzistenca e Mauritanisë është një gabim si Saharaja. Maroku duhet të kthehet në kufijtë e tij para pushtimit evropian”, deklaroi Raissouni, gjë e cila shkaktoi reagime në Algjeri dhe u bënë thirrje për shkarkimin e tij nga detyra.
Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Ali Al-Qaradaghi tha se deklaratat e Raissouni-t për Saharanë Perëndimore janë mendime personale, se nuk mund të lidhen me Unionin dhe se Unioni nuk ka marrë ndonjë vendim në këtë drejtim.
Ahmed Raissouni më 28 gusht njoftoi dorëheqjen nga detyra. /aa