Anëtari i Byrosë Politike të Lëvizjes Hamas, Izzet al-Rishk tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po përpiqet të vonojë arritjen e marrëveshjes për Gazën duke krijuar vazhdimisht pengesa, transmeton Anadolu.
Rishk bëri një deklaratë në faqen e tij në Telegram në lidhje me pretendimin e Kryeministrisë izraelite se Hamasi bllokoi marrëveshjen në Gaza. “Është vet Netanyahu që e shtyri marrëveshjen, e shmangu dhe i krijoi pengesa marrëveshjes”, tha Rishk.
Ai theksoi se Hamasi hapi rrugën për arritjen e një marrëveshjeje.
“Hamasi kapërceu pengesat e Izraelit. Ndërsa ata mirëpritën çështjet e përfshira në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë fjalimin e presidentit amerikan Joe Biden lidhur me armëpushimin, tërheqjen e ushtrisë okupuese nga Rripi i Gazës dhe shkëmbimin e të burgosurve, Netanyahu nuk i pranoj ato”, tha ai.
– Kërkesa të reja
Rishk potencoi se deklarata e Netanyahut se ai “pranoi ofertën që ata paraqitën dhe mbi të cilën Hamasi bëri korrigjime” ishte gënjeshtër.
“E gjithë bota e di se Izraeli ka bërë kushte dhe kërkesa shtesë që nuk përfshihen në ofertën e tij”, tha Rishk duke shtuar se Netanyahu nuk iu përgjigj ofertave të ndërmjetësuara në të gjitha raundet e negociatave dhe atë që ndodhi në bisedimet e fundit në Romë.
Faqja e lajmeve izraelite “Wala” dy ditë më parë tha se Izraeli paraqiti propozim të ri në SHBA lidhur me marrëveshjen dhe se Netanyahu bëri kërkesa të reja, veçanërisht lidhur me krijimin e një mekanizmi vëzhgues që do të pengonte transferimin e armëve nga jugu në veri të Rripit të Gazës.