Hamasi dënoi shënjestrimin e drejtpërdrejt me mjet ajror pa pilot (dron) të ushtrisë izraelite ndaj civilëve në Rripin e Gazës dhe mbajti përgjegjës administratën e SHBA-së për krimet që Tel Avivi ka kryer në Gaza, transmeton Anadolu.
Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Izzat al-Rishq publikoi një deklaratë me shkrim pas paraqitjes së pamjeve ku ushtria izraelite goditi me dron 4 civilë në Gaza muajin e kaluar.
Ai e cilësoi si “një krim lufte të shëmtuar” shënjestrimin e drejtpërdrejtë dhe vrasjen e civilëve të pambrojtur nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës. “Ky krim i kryer paraqet edhe një herë para syve se në të vërtetë ushtria pushtuese përbëhet nga banda vrasëse të etur për gjak. Këto dëshmojnë se janë një ushtri e paligjshme që nuk kanë asnjë vlerë morale ose humane”, tha Al-Rishq.
Duke kërkuar që ky krim t’i shtohet dosjes penale të Izraelit i cili po gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Al-Rishq theksoi se “Edhe armët që vrasin civilët e pafajshëm janë armët e SHBA-së. Kjo e bën (presidentin amerikan Joe) Biden dhe administratën e tij bashkëfajtor të krimeve që kryhen”.
Al-Rishq mbajti përgjegjës presidentin amerikan Biden për krimet e kryera kundër civilëve në Gaza dhe mbrojti idenë e tij se edhe ata duhet të gjykohen si kriminelë lufte. Kanali Al Jazeera me qendër në Katar, publikoi pamjet që tregojnë se ushtria izraelite bombardoi me dronë 4 civilë palestinezë në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Në video shihet qartë se 4 civilët nuk mbajnë armë dhe se nuk përbëjnë ndonjë rrezik.
Në sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori deri më tani, përfshirë të paktën 14 mijë fëmijë dhe 9.220 gra janë vrarë 31.988 palestinezë dhe janë plagosur 74.188 persona të tjerë.