Në ambientet e Xhamisë në Janjevë edhe zyrtarisht u bë hapja e bibliotekës me librat e Mulla Irfan ef. Bikliqit, të cilat iu dorëzuan xhamisë.
Kjo bibliotekë, e ish-imamit të kësaj xhamie u hap pikërisht në 7-vjetorin e tij të kalimit në Ahiret, duke kujtuar dhe njëkohësisht çmuar lart kontributin e tij në çështjet fetare dhe kombëtare.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij çmoi lart kontributin dhe angazhimin fetar e kombëtar të Mulla Irfan Bikliqit. Ai tha se përpjekjet dhe sakrificat e tilla për atdhe kanë bërë që Kosovë ta gëzojë lirinë.
Muamer Bikliqi, djali i imamit tha se sot ndjehet jashtëzakonisht krenar ashtu siç është ndjerë gjithë jetën me punën dhe angazhimin e babait të tij.
Për figurën e tij, folën miqtë e imamit si dhe udhëheqës institucional. Ata e vlerësuan si njeri të përkushtuar ndaj dijes dhe në veçanti kontributdhënës i madh në çështjet fetare dhe atdhetare.
Mulla Irfan Mujedin Bikliqi i lindur më 1938 në Janjevë, ndoqi mësimet në medresenë e mesme “Alauddin”, për të vijuar më pas si imam në xhaminë e Janjevës, ku edhe mori ftesën për shërbim ushtarak. Për një kohë të gjatë u ndjek nga regjimi Jugosllavë për ta dënuar më pas me 3 vjet e gjysmë burgim. Në angazhimin e tij 40-vjeçar si imam, ai punoi edhe si kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Lipjan, si dhe kryeimam, ku edhe u përball me presione të shumta nga pushteti i aso kohe. Gjatë kësaj kohe ai u mor edhe me pajtimin e gjaqeve deri në vitin 2016 kur u nda nga kjo jetë.