RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Harris premton qasje më të ashpër ndaj migrimit dhe mbështet ar’mët për Iz’raelin

harris-premton-qasje-me-te-ashper-ndaj-migrimit-dhe-mbeshtet-ar’met-per-iz’raelin

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, u zotua për një qasje më të ashpër ndaj migrimit përgjatë kufirit jugor të SHBA-së dhe tha se nuk do t’i ndalonte armët për Izraelin.

Harris i bëri komentet për CNN-in, në intervistën e saj të parë me një organizatë të madhe lajmesh prej se është bërë kandidate e Partisë Demokratike për presidente.

Në kohën kur kanë mbetur edhe pak më shumë se dy muaj deri në zgjedhjet presidenciale, Harris u përpoq t’iu ofronte amerikanëve ndjesinë e pozicioneve të saj politike.

Ajo tha se do t’i rrisë përpjekjet për një legjislacion gjithëpërfshirës kufitar, që do ta shtrëngonte migrimin në Shtetet e Bashkuara, dhe u zotua se “do t’i zbatojë ligjet” kundër kalimeve kufitare.

“Ne kemi ligje që duhen ndjekur dhe zbatuar, që i adresojnë dhe merren me njerëzit që e kalojnë kufirin tonë në mënyrë të paligjshme dhe që duhet të kenë pasoja”, tha Harris.

Ajo, gjithashtu, tha se qëndron pas mbështetjes që presidenti Joe Biden i ka ofruar Izraelit dhe hodhi poshtë thirrjet e disave në Partinë Demokratike se Uashingtoni duhet ta rimendojë dërgimin e armëve në Izrael, për shkak të numrit të madh të viktimave palestineze në Gazë.

Ajo tha se mbështet një Izrael të fortë, por shtoi se “ne duhet të arrijmë një marrëveshje” për të bërë armëpushim në konfliktin e Gazës.

“Jo, ne duhet të arrijmë një marrëveshje [për armëpushimin dhe pengjet]”, tha Harris kur u pyet nëse ajo do t’i ndalonte armët për Izraelin.

Ajo ka qenë zëvendëse e presidentit Biden që nga fillimi i administratës së tij në janar të vitit 2021.

Abbas Alawieh, bashkëthemelues i Lëvizjes Kombëtare të Paangazhuar, që ka protestuar kundër politikës së Bidenit, shprehu zhgënjim me përgjigjen e Harrisit për Gazën.

“Nëse zëvendëspresidentja është e interesuar për armëpushim, ajo duhet ta mbështesë ndalimin e menjëhershëm të dërgimit të armëve [për Izraelin]”, tha Alawieh.

Harris, e cila ishte në intervistë bashkë me kandidatin për zëvendës të saj, guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, tha gjithashtu se do të dëshironte të shtonte një republikan në kabinetin e saj, nëse i fiton zgjedhjet presidenciale.

“Mendoj se është e rëndësishme që kur merren disa vendime më të rëndësishme, të kemi në tryezë njerëz që kanë pikëpamje të ndryshme, përvoja të ndryshme. Mendoj se është në të mirën e publikut amerikan që në kabinetin tim të ketë një anëtar, i cili është republikan”, tha Harris.

Prej se është bërë kandidate demokrate për presidente, muajin e kaluar, Harris është rritur në sondazhe, ka grumbulluar qindra miliona dollarë donacione për fushatën e saj dhe ka mbajtur një sërë fjalimesh të fuqishme nëpër tubime me mbështetës.

Harris e mbrojti mënyrën se si ajo dhe Biden kanë trajtuar inflacionin, duke thënë se ata kanë trashëguar një ekonomi të shkatërruar nga pandemia COVID-19.

Ajo tha se është bërë shumë punë për t’i ulur çmimet, por se “çmimet janë ende shumë të larta”.

Ajo foli edhe për përpjekjet e saj për t’i adresuar ndryshimet klimatike dhe për mbështetjen e Marrëveshjes së Re të Gjelbër – një propozim i Partisë Demokratike për të reduktuar varësinë nga lëndët djegëse fosile.

“Ne kemi vendosur synime për Shtetet e Bashkuara të Amerikës – dhe për globin – se kur duhet t’i përmbushim disa standarde për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë”, tha Harris.

Harris është përballur me kritika nga republikanët dhe disa ekspertë, për faktin që nuk ka mbajtur ndonjë konferencë shtypi ose intervistë të gjerë deri më tani. Sipas kritikëve, ajo ka shmangur të sfidohej për të kaluarën e saj.

Ajo i është futur garës për presidente, pasi Biden është tërhequr prej saj.

Në zgjedhjet e 5 nëntorit, ajo do të përballet me kandidatin republikan, ish-presidentin Donald Trump.

Trump e përshkroi intervistën e Harrisit si “të mërzitshme”.

Përgatiti: Valona Tela /rel

https://www.evropaelire.org/a/harris-migrimi-armet-per-izraelin/33099214.html

Related posts

Tragjedi në Nigeri! Shembet shkolla teksa klasat ishin të mbushura me nxënës, humbin jetën 22 fëmijë, qindra të plagosur

admin

Presidentja e Perusë nuk pranon të dorëhiqet pavarësisht javëve me dhunë

admin

Rrahmani dhe Korenica nga LVV thonë se nuk do të votojnë asnjë pikë në Kuvend derisa vajza me mbulesë të kthehet në shkollë

RTI