RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Hasani: Hungaria mbetet një avokate aktive e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE

hasani:-hungaria-mbetet-nje-avokate-aktive-e-anetaresimit-te-ballkanit-perendimor-ne-be

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto, transmeton Anadolu.

Pas takimit në selinë e ministrisë, Hasani dhe Szijjarto mbajtën një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në disa çështje.

Hasani tha se me homologun hungarez ka pasur mundësinë të shkëmbejë mendime për bashkëpunimin në çdo fushë, sipas tij nga politika, ekonomia, integrimi evropian, bashkëpunimi në organizatat ndërkombëtare dhe në shumë aspekte të tjera.

“Hungaria ka qenë dhe mbetet vazhdimisht një avokate aktive e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, duke e konsideruar zgjerimin e BE-së në këtë pjesë të Evropës Juglindore si një objektiv strategjik të politikës së saj të jashtme. Fakti që Presidenca aktuale hungareze e Bashkimit Evropian e ka bërë integrimin e Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e saj thelbësore, është treguesi më i qartë i këtij angazhimi”, tha Hasani.

Hasani ka theksuar se kanë biseduar edhe mbi zhvillimet në rajon.

“Dialogu, bashkëpunimi ekonomik, tregtar, arsimor e kulturor ndikojnë në pasjen e një rajoni në paqe dhe të orientuar nga mirëkuptimi dhe begatia për qytetarët e vendeve tona”, është shprehur Hasani.

Ministri Szijjarto ka theksuar se janë pro një procesi të përshpejtuar të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ai shtoi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit në BE.

“Kapaciteti konkurrencial i Evropës ka rënë në kohët e fundit dhe Hungaria mendon se ilaçi më i mirë për këtë sëmundje është pikërisht zgjerimi, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Evropa ka nevojë për energji të reja, për hov të ri, për rinovim dhe ne mendojmë se këto janë gjëra që mund të mbërrijnë vetëm nëpërmjet Ballkanit Perëndimor”, tha Szijjarto.

Szijjarto ka theksuar më tej se hungarezët jetojnë pranë Ballkanit Perëndimor dhe se “është dhe interesi ynë që paqja, zhvillimi, dhe stabiliteti, të jenë karakteristikë e Ballkanit Perëndimor”.

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian gjatë gjashtëmujorit të dytë 2024, vizita e ministrit Szijjarto në Tiranë merr rëndësi e domethënie të veçantë për shtyrjen përpara të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Related posts

Kurti viziton komunat në veri të Kosovës, zbulohet arsyeja

admin

Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian kërkon angazhim në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

admin

Çavuşoğlu: Pas tërmeteve, solidariteti ndërkombëtar na jep forcë

rezart morina