Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë një interviste dhënë për Telegrafi.com ka thënë se dërgimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese nga opozita është një përpjekje për t’i penguar reformat në drejtësi.
Haxhiu tha se ky Projektligj ka të bëjë me adresimin e pasurisë së pajustifikueshme, kryesisht të zyrtarëve të lartë, ndërkaq, siç tha ajo shumë zyrtarë nga paslufta janë bërë milionerë edhe pse s’kanë pasur ndonjë biznes.
“Siç jeni në dijeni në Kosovën e pasluftës shumë zyrtarë që janë bërë milionerë vetëm duke qenë zyrtarë, pra duke mos qenë biznesmen e të tjera profesione, por vetëm duke qenë zyrtarë publik. Prej pozicioneve që kanë mbajtur si zyrtarë kanë krijuar edhe bizneset e tyre. Dhe nëse hyjmë vetëm në deklarimet e pasurisë së zyrtarëve shohim që disa prej tyre, janë pasuruar në mënyrë marramendëse dhe sigurisht kjo duhet të adresohet”, tha ajo.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë intervistës për Telegrafi.com /Foto: Ridvan Slivova/
Haxhiu tha se opozita zgjodhi që këtë ligj ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Sipas saj, kjo është një përpjekje e tyre për t’i penguar reformat në drejtësi.
“Pra ata tentojnë që t’i ruajnë personat që u janë gjendur herë pas herë për nevojat që i kanë pasur të natyrës së ndryshme. Dhe tash ka një rezistencë të madhe të reformave që kanë nisur nga Ministria e Drejtësisë. Mendoj që, është e vërtet që po na zvarrisin reformat që kemi nisur, mendoj që ata konsiderojnë që kjo është goditje që po ia bëjnë drejtpërdrejtë qeverisë, por mendoj që goditjen më të madhe po ia bëjnë qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Haxhiu shpreson që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtoj sa më shpejt Ligjin për Byronë, e mos të ia bëj si me KPK-në.
“E para, uroj që Gjykata Kushtetuese të mos ia bëj si me Ligjin për KPK-në, ku ju deshën 9 muaj pa asnjë justifikim që ta mbajë në sirtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe pas nëntë muajve ta bëjnë njoftimin. E dyta, uroj që mos ta vonojnë trajtimin e tij, dhe i njëjti të shpallet Kushtetues, duke marr parasysh që e kemi mbështetjen e Venecias. Dhe e treta është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm që adreson pasurinë, e që zyrtarët nuk mund ta justifikojnë, pasi është kryer nga puna e pandershme”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se në momentin që ky ligj do të hyj në fuqi do ta themelojnë si dhe do t’i nxjerrin aktet tjera.
“Aspekti kryesor është pikërisht kjo që po e adresoni, që stafi duke nisur që nga drejtori i këtij institucioni e deri tek stafi profesional të jenë vetëm persona që kanë integritet të lartë moral dhe profesional. Duke pasur parasysh përgjegjësit që do të ketë ky institucion është jetike që të kemi personat e duhur aty”, tha ministrja e Drejtësisë.
Haxhiu po ashtu tha se edhe çështja e Vettingut në sistemin e drejtësisë ka qenë një nga prioritet e tyre.
Haxhiu: Nuk do ta kontestojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk do të lejojmë koorporatizmin brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës
“Vitin e kaluar opozita kishte kërkuar që dosjen e Vettingut përfshirë amendamentet kushtetuese ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kemi vepruar sipas kërkesave që ka pasur opozita për hir të konsensusit politik që na duhet për këto ndryshime. Komisioni ad hoc i ka vlerësuar këto amendamente që ne i kemi dërguar. Po ashtu, ka kërkuar nga MD-ja që ta hartojë projektligjin, të cilin brenda një muaji e kemi bërë në konsultim me Komisionin e Venecias…”, tha Haxhiu.
Ajo po ashtu shtoi se “Kryetari i Kuvendit në mënyrë publike na ka njoftuar që këto amendamente i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe presim nga kjo gjykatë që t’i shqyrtojë ato dhe pastaj t’i jepet drita e gjelbër për votimin e tyre në Kuvendin e Kosovës”.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë intervistës për Telegrafi.com /Foto: Ridvan Slivova/
Telegrafi po ashtu ka dërguar pyetje në zyrën e informimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e njëjta ka thënë se Projektligji për Byronë, por edhe dosja për Vettingun janë ende duke u shqyrtuar.
“Kërkesa për Vettingun është parashtruar në Gjykatë më 2 mars 2023 dhe aktualisht është në procedurë të shqyrtimit. Si dhe kërkesa për Byronë është parashtruar në Gjykatë, më 20 shkurt 2023 dhe aktualisht është procedurë të shqyrtimit”, kanë thënë nga zyra e informimit të Gjykatës Kushtetuese.