RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Haxhiu për tri viktimat e identifikuara: 27 vjet pritje, sot familjet morën përgjigjen

haxhiu-per-tri-viktimat-e-identifikuara:-27-vjet-pritje,-sot-familjet-moren-pergjigjen

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas konfirmimit të identitetit të tri viktimave të “Grupit të Intelektualëve”, përmes analizave të ADN-së.

Mbetjet mortore të viktimave ishin zhvarrosur në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Sipas njoftimeve zyrtare, viktimat ishin pjesë e grupit të shqiptarëve nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999.

Haxhiu ka thënë se tri familje, pas 27 vitesh pritjeje, sot kanë marrë lajmin për fatin e familjarëve të tyre.

“Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka shprehur solidaritet me familjet e viktimave, duke thënë se bashkëndjen edhe me familjet e tjera që janë ende në pritje të rezultateve të gërmimeve dhe analizave të ADN-së.

“Jam pranë tyre në këtë ditë. Bashkëndjej edhe me familjet e tjera që presin rezultatet e gërmimeve në javët në vijim”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka theksuar gjithashtu se kërkimi për personat e zhdukur do të vazhdojë derisa të zbardhet fati i të gjithëve.

“Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, ka shkruar ajo.

Related posts

Begaj, Rama dhe Peleshi mesazhe urimi për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Hevzi

Ekspertët: Inteligjenca artificiale mund të shtojë dezinformimin dhe të dëmtojë zgjedhjet në BE

admin

“Shpimi në Mesdhe është juridiksion i Turqisë, për këtë nuk kemi nevojë për lejen e askujt”

admin