Rezultatet e një ankete të zhvilluar në Holandë tregojnë se 72 për qind e qytetarëve nuk kanë besim në politikanët e vendit, raporton Anadolu.
Sipas anketës të porositur nga shërbimet publike NOS dhe Ipsos, 72 për qind e holandezëve konsiderojnë se politikanët në vend mendojnë vetëm për veten e tyre dhe nuk punojnë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Rezultatet e anketës tregojnë se 47 për qind e të anketuarve theksuan se mungesa e besimit të qytetarëve buron nga politikat qeverisëse në fushën e migracionit, azilit, shëndetësisë dhe çështjeve të banimit si dhe mos suksesi i politikanëve për të zgjidhur problemet në vend.
Holandezët besojnë se numri i partive politike në parlament duhet të ulet duke zbatuar pragun zgjedhor. Gjithashtu, 64 për qind e të anketuarve duan shpërndarje sa më të drejtë të pasurisë në vend. Ky grup mbështet idenë që kompanitë dhe personat me të ardhura të larta të paguajnë taksa më të larta.
Sipas rezultateve të anketës, 72 për qind e qytetarëve besojnë se vendi i tyre po shkon në drejtim të gabuar ndërsa 30 për qind frikësohen se situata e tyre ekonomike do të përkeqësohet në vitin 2024.
Zgjedhjet e përgjithshme në Holandë do të mbahen më 22 nëntor, pasi qeveria e koalicionit dha dorëheqje më 8 korrik për shkak të mos arritjes së marrëveshjes në negociatat për politikën e migracionit.