RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

​Hovenier: Të fillojnë urgjentisht negociatat për Asociacionin

​hovenier:-te-fillojne-urgjentisht-negociatat-per-asociacionin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Duhet të ketë një propozim për Asociacionin në tryezë”, tha Hovenier në një takim me gazetarët në Prishtinë. Ai, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për ri regjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Ky plan nisi të zbatohet më 1 nëntor, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që të shtyhet. Janë rreth 9.000 makina me targa të paligjshme që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999. Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë ato, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit për ri regjistrim, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për ri regjistrimin e makinave. “Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”, tha ambasadori Hovenier.

Ai, gjithashtu, tha se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb, duke shfaqur shpresën se përfaqësuesit e tij do të kthehen në institucionet e Kosovës. “Shpresojmë që kjo gjë të jetë e përkohshme”, tha Hovenier duke komentuar dorëheqjet e serbëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi më 7 nëntor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri dhe tha se kjo po bëhet për shkak të, siç u shpreh, refuzimit të planit franko-gjerman nga pala serbe. Ky plan, siç është raportuar, parasheh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas Kurtit, Vuçiq është duke i përdorur pjesëtarët e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës për destabilizim. Për Kosovën, sipas Kurtit, plani franko-gjerman është “hap në drejtimin e duhur”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. “Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël – që ata thonë se është 1 për qind – do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi. Vuçiq ka thënë muajin e kaluar se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit të shpejtë të saj në BE./REL

Related posts

Nëntë barrikada në veri, Policia e Kosovës del me njoftimin e fundit

admin

Drejtori i suspenduar i policisë në veri, lidhjet e tij me të sanksionuarit e SHBA-së

admin

Ministri i Jashtëm britanik: Armët nga Irani kërcënojnë gjithë rajonin

admin