RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Hovenier thotë se Plani Evropian është i përkohshëm dhe për momentin më i miri

hovenier-thote-se-plani-evropian-eshte-i-perkohshem-dhe-per-momentin-me-i-miri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në takimin e Ohrit duke besuar se Plani Evropian është më i miri që mund të ofrohet për momentin.

Në një bashkëbisedime me disa prej medieve në Prishtinë, në mesin e tyre edhe Tëvë1, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier tha se me pranimin e marrëveshjes apo Planit Evropian, Kosova shënon hap konkret drejt daljes nga ‘status quo-ja” dhe përparimi në procesin e saj të integrimit në strukturat euro-atlantike.

I pyetur nga Tëve1 se çfarë do të ndodhë në rast se Kosova e pranon dhe nënshkruan marrëveshjen, por jo edhe Serbia, ambasadori amerikan tha se është vështirë të paragjykohet se çfarë do të ndodhë, por disa marrëveshje, nënvizoi ai, “funksionojnë vetëm nëse nënshkruhen nga të dyja palët”.

Hovenier, tha se në këtë moment, SHBA pret që të arrihet marrëveshja, duke mos paragjykuar situata tjera. Plani Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, sipas tij, është marrëveshja më e mirë në dispozicion.

Tutje, Hovenier tha se palët duhet të fokusohen në 11 pikat e dakorduara në takimin e 27 shkurtit në Bruksel. Nisur nga përmbajtja e kësaj marrëveshjeje, ai tha se gjasat për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë tani “nuk janë shumë të mëdha”, për shkak të qëndrimit të Serbisë.

Por, ai rikujtoi po ashtu, se Plani i BE-së është i përkohshëm dhe një hap që do të çojë drejt një marrëveshjeje finale e cila si qëllim kryesor do të ketë njohjen reciproke.

“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja nuk ka ndryshuar qëndrim dhe ne mendojmë se duhet të ketë njohje, por vlerëson se, në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion”, tha Hovenier, duke iu referuar Planit Evropian.

Ai tha se përqendrimi tani duhet të jetë te zbatimi i suksesshëm dhe efektiv i planit, për të cilin Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Roli konstruktiv i Kosovës në këtë drejtim, sipas ambasadorit, do të sjell përfitime, marrë parasysh që SHBA-ja do t’i ripërtërijë përpjekjet për ta ndihmuar Kosovën që t’i bashkohet Partneritetit të NATO-s për Paqe.

Megjithatë, ai tha se nuk mund të garantojë se aspiratat që ka populli i Kosovës do të përmbushen menjëherë, për faktin se, siç u shpreh, NATO-ja merr vendime me konsensus.

Ai shtoi se tani është e rëndësishme të ketë një ripozicionim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i mundësonte, sipas tij, Kosovës që të ecë përpara në shumë mënyra.

“Ne presim marrëveshje përfundimtare që përqendrohet në njohje reciproke”, tha Hovenier.

Hovenier, skutoi po ashtu se si rrallë herë më parë, plani i BE-së gëzon mbështetje të gjerë nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Të gjitha vendet që kanë qëndruar dhe qëndrojnë me Kosovën, besojnë se është një gjë shumë e mirë dhe po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për të parë avancimin e tij dhe përfundimin e suksesshëm të negociatave”, tha Hovenier.

Tutje, ai i dërgoi një mesazh edhe opozitës në Prishtinë, duke i kërkuar që ta përkrahë propozimin aktual evropian, siç po e bëjnë edhe shtetet perëndimore.

“Pres që ato [partitë opozitare] t’i vënë interesat kombëtare të Kosovës përpara çdo arsyeje të brendshme politike”, tha ambasadori amerikan.

I pyetur nëse ka hapësirë për të rinegociuar ose për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë në bazë të kushteve të Kurtit, Hovenier tha se “është e vështirë të rinegociosh diçka që ende nuk është negociuar vërtet”.

Kurti, në fillim të shkurtit, doli me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.

“Ne nuk besojmë se është e përshtatshme për Kosovën që të pajtohet me ndonjë gjë që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Ne nuk besojmë se është e përshtatshme që Kosova të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015… Por, brenda tij ka hapësirë të mjaftueshme për [të diskutuar] për atë që do të jetë kjo gjë”, tha Hovenier.

“Çfarëdo që të dalë nga ky proces, do të ketë nevojë për një lloj asociacioni dhe do të duhet të përbëhet nga komunat me shumicë serbe”, theksoi ai.

Pas dakordimit në parim në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet që më 18 mars, nën ndërmjetësimin e BE-së të takohen në Ohër, për të diskutuar dhe eventualisht miratuar edhe planin e veprimit të marrëveshjes 11-pikëshe.

Bazuar në qëndrimet aktuale, Kurti është deklaruar në mbështetje të marrëveshjes, por të paktën deri më sot, një gjë të tillë nuk e ka shprehur publikisht presidenti serb.

Plani 11-pikësh i BE-së për Kosovën dhe Serbinë, paraqet marrëveshje bazë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë dhe që do të duhej të përmbyllej me njohje reciproke dhe integrim në Bashkimin Evropian.

Related posts

Raport: Millorad Dodik, mohuesi më i madh i gjenocidit në Srebrenicë

rezart morina

Rritet në 38.193 numri i pa’lestinezëve të vr’arë nga su’lmet iz’raelite në Ga’za

rezart morina

Nju Jork: Është hequr ndalimi i thirrjes së ezanit jashtë zonës së xhamisë

rezart morina