Papa Françesku gjatë vizitës në Hungari kritikoi të premten atë që ai e quajti “agresivitet prej adoleshentësh” që sipas tij solli luftën sërish në Evropë, teksa shtoi se kontinenti duhet të rifitojë frymën themeltare të unitetit paqësor për t’u përballur me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Papa paraqiti vizionin e tij për të ardhmen e Evropës ndërsa filloi një vizitë treditore në Hungari. Në një fjalim të hartuar me kujdes, ai kërkoi që Bashkimi Evropian të miratojë mënyra të sigurta dhe të ligjshme për hyrjen e emigrantëve, si dhe që qeveria hungareze të mos e mbajë peng Evropën me kërkesa populiste.
Ai nuk i kurseu fjalët kur iu drejtua Presidentes Katalin Novak dhe Kryeministrit populist të Hungarisë, Viktor Orban, mbështetja e vakët e të cilit për Ukrainën ka shkaktuar pakënaqësi ndër vendet e tjera të BE-së.
“Duket se po përjetojmë perëndimin për të ardhur keq të kësaj ëndrre të përbashkët për paqen, ndërkohë që po mbizotërojnë tashmë solistët e luftës. Në këtë udhëkryq historik, Evropa është jetike… Është e thirrur që të marrë rolin e saj të duhur, që është bashkimi i atyre që janë të ndarë, që të mirëpresë popujt e tjerë dhe të refuzojë ta konsiderojë dikë një armik të përjetshëm”, tha Papa Françesku.
Ai ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për një zgjidhje paqësore për luftën dhe ka shprehur solidaritetin me popullin ukrainas. Sot, papa pritet të takohet me 35 mijë refugjatë ukrainas që gjenden në Hungari. Rreth 2.5 milionë refugjatë hynë në këtë vend në fillimet e sulmit të Rusisë në Ukrainë.
“I come as a pilgrim and friend to Hungary, a country rich in history and culture.”
Pope Francis expresses his closeness to the Hungarian people as he meets with the country’s civil authorities and diplomatic corps.#PopeInHungaryhttps://t.co/CMVUTKxoOP pic.twitter.com/FweX4m5yMN
— Vatican News (@VaticanNews) April 28, 2023