Khalid Sheikh Mohammed, i akuzuar si “arkitekti” i 11 Shtatorit 2001 në SHBA, dhe tre të bashkëakuzuar do të gjykohen duke filluar më 5 qershor 2028, transmeton Anadolu.
Gjykatësi ushtarak amerikan, nënkoloneli Michael Schrama, hodhi poshtë kërkesën e prokurorëve që procesi të niste në vitin 2027, raportoi Fox News.
Schrama vendosi se data e propozuar nga prokuroria, 11 janar 2027, nuk linte kohë të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjeve paraprake të gjyqit që janë ende në pritje.
“Një datë realiste për gjyqin duhet të marrë parasysh shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave paraprake lidhur me provat dhe respektimin e procedurave”, citoi Fox News të ketë thënë Schrama.
Mohammed dhe tre të bashkëakuzuarit janë mbajtur në bazën Guantanamo që nga viti 2003, në lidhje me sulmet ku u vranë rreth 3.000 persona.
Sipas kalendarit të përcaktuar nga gjykata, përzgjedhja e trupit gjykues do të nisë më 5 qershor 2028, ndërsa deklaratat hyrëse pritet të fillojnë 30 ditë pasi anëtarët e komisionit ushtarak të jenë përzgjedhur.
Urdhri përcakton gjithashtu afatet për paraqitjen e provave, kërkesat e mbrojtjes, procedurat e kundërpërgjigjes dhe deklaratat përmbyllëse.
Mohammed, një inxhinier i arsimuar në SHBA, akuzohet se ka organizuar sulmet e 11 shtatorit, në të cilat avionë komercialë të rrëmbyer u përplasën me Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin, duke vrarë rreth 3.000 persona.

