Prokurori Ersan Qavolli në rastin e Gjyljeta Ukellës, e cila u vra sot në Pejë në orët e mëngjesit ka bërë të ditur se i dyshuari, bashkëshorti i saj ka rast të dhunës në familje.
Prokurori në një deklaratë për media tha se i dyshuari, bashkëshorti i viktimës është ndaluar për 48 orë, gjersa i njëjti ka një aktgjykim për dhunë në familje gjatë vitit 2022.
“Menjëherë e kemi nxjerr të kaluarën kriminale…. Kemi informata se i njëjti kishte edhe më herët një aktgjykim për dhunë në familje gjatë vitit 2022”, tha ai.
Prokurori vrasjen e sotme në Pejë e quajti makabre, ndërkaq për shkak të ndjeshmërisë së rastit tha se nuk mund të jap detaje tjera.
“Bëhet fjalë për një vrasje makabre në qytetin e Pejës. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryera vepra penale dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë”, tha ai.
Prokurori tutje bëri të ditur se trupi i pajetë do të dërgohet për obduksion.
Ai tha se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe në këtë fazë të hetimeve nuk mund të jap detaje rreth motivit apo mënyrës se si është bërë vrasja dhe nëse fëmijët kanë qenë ose jo të pranishëm në momentet kritike.