RTV AHIRETI
KosovëLajmeLajmet

I është bërë apel Serbisë t’i dorëzojë kriminelët

i-eshte-bere-apel-serbise-t’i-dorezoje-kriminelet

Janë bërë 27 vjet nga Masakra e Studimes. Më 2 maj të 1999-s, forcat serbe ndanë burrat nga gratë e fëmijët që ndodheshin në një kolonë pasi ishin dëbuar nga shtëpitë. 116 prej tyre i ekzekutuan. Familjarë të viktimave bënë thirrje që kryesit të vihen para drejtësisë, e përfaqësues të institucioneve bënë përgjegjëse Serbinë për masakrën dhe strehimin e kriminelëve të luftës
Bahrije Gërxhaliu thotë se dhimbja nuk i ka pushuar kurrë, tash e 27 vjet, prej kur në masakrën prej më të mëdhave në Kosovë, forcat serbe ia vranë bashkëshortin e familjarë të tjerë.

Banorët u dëbuan me dhunë nga shtëpitë, ndërsa shumë prej tyre u grumbulluan dhe u ndaluan në kolona gjatë tentativës për t’u larguar drejt zonave më të sigurta. Por, me të rënë muzgu në fshatin Studime të Vushtrrisë, forcat serbe nisën aksionin, gjatë të cilit ndanë burrat nga gratë e fëmijët e 116 prej tyre i ekzekutuan.

Gërxhaliu tregoi të shtunën se serbët nuk kursyen nga dhuna as fëmijët.

“Edhe fëmijën dy vjet e 6 muaj ma kanë marrë nga prehri dhe kanë bërë krim. Edhe sot e 27 vjet, çka është barra më e rëndë për ne si familjarë është që ende askush nuk ka dalë para drejtësisë, nuk është ulur në bankën e të akuzuarit, për këto krime që i kanë bërë”, ka thënë ajo.

Në përvjetorin e 27-të të masakrës në Studime, përfaqësues politikë të nivelit qendror e lokal bënë homazhe te varrezat e viktimave, që u vranë në kolonën rrugës për në Shqipëri ku serbët i dëbuan.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se Serbia edhe tani i strehon përgjegjësit për këtë krim e krime të tjera të kryera gjatë luftës.

“Serbia nuk u mjaftua me vrasje. Ajo deshi ta zbrazte vendin, ta thyente familjen, ta poshtëronte të mbijetuarin dhe ta linte krimin pa gjykim. Edhe sot e kësaj dite Serbia i strehon kriminelët e luftës. Kështu vepron një shtet ku krimin e ka politikë”, ka thënë Haxhiu.

E, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se civilët e vrarë, që të gjithë ishin të pambrojtur. Edhe ai shprehu pakënaqësinë që kryesit e krimit nuk janë nxjerrë para drejtësisë.

“Për absurdin e kohës, nëpër gjykata mbahen ish-drejtuesit e shtetit dhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, padrejtësisht. Andaj, më tepër se kurrë, ndoshta në këto dekadat e fundit, ky vend ka nevojë për unitet, kjo shoqëri ka nevojë për unitet, kjo klasë politike ka nevojë për unitet”, ka thënë Idrizi.

Homazhe në Studime bënë edhe përfaqësues të subjekteve politike.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi se detyra e të gjallëve është të ruhet kujtesa, por edhe të mos lejojnë që historia të përsëritet.

“Ne të gjallët kemi edhe detyra të tjera: përpos me e rujtë kujtesën, mos me lanë me u harru, po kështu me u harru, që i bie mos të lejojmë që kurrë Kosovës me i ndodhë në të ardhmen krime e masakra e të këqija që i ka bërë Serbia, regjimi i Millosheviçit, forcat ushtarake e paramilitare, popullit të Kosovës”, ka theksuar Haradinaj.

Më 2 maj të vitit 1999 në Studime të Vushtrrisë u vranë brenda dy orësh 116 civilë shqiptarë, në kulmin e fushatës së spastrimit etnik nga forcat serbe. Trupat e shumë prej tyre u gjetën paslufte në varreza masive.

Related posts

Arabia Saudite heq kufizimet për numrin e hanxhinjve

admin

Greqi, qeveria e re mesazh për dialog dhe bashkëpunim me Türkiye-n

admin

SHBA: Ndalesa e shefit të OKB-së nga Iz’raeli nuk është “produktive”

admin