Një djalë i ri nga Siria i cili kishte ngecur nën rrënojat e ndërtesës së shembur, si pasojë e tërmetit shkatërrues që goditi këtë vend dhe Turqinë, ka arritur të realizojë dhe publikojë në rrjetet sociale një video nga rrënojat.

Ai shihet i tëri i mbuluar në pluhur duke thënë se nuk e di nëse do të vdesë apo mbijetojë, dhe vazhdimisht thekson se nuk e di të shpjegojë ndjenjën e të qenurit nën rrënoja.

I riu madje tregon se në ndërtesën ku jetonte në momentin kur ndodhi tërmeti, gjendeshin edhe tri apo katër familje tjera, transmeton Telegrafi.

Në një moment derisa fliste fillojnë të bien copëzat e betonit, ndërsa akoma nuk dihet asgjë për fatin e tij, pavarësisht se disa media që kontrollohen nga qeveria në Siri raportojnë se ai është nxjerrë i gjallë.

Në anën tjetër numri i përgjithshëm i viktimave të tërmetit në Siri dhe Turqi ka shkuar në mbi 6.500, derisa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë punën e tyre – pra kërkimin dhe nxjerrjen e të mbijetuarve nën rrënoja.