Organizata Islame e Arsimit, e Shkencës dhe e Kulturës (ICESCO) tha se Izraeli e ka zhytur të gjithë botën në kaos të plotë me sulmet e tij ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës.
Në njoftimin e ICESCO-s, me seli në Marok, theksohej se “e gjithë bota duhet të ngrejë zërin së bashku kundër armiqësisë së Izraelit, i cili e ka tërhequr botën në kaos nga i cili askush nuk mund të shpëtojë”.
Izraeli përshkruhet si një “makinë për vrasje dhe shkatërrim” dhe shtohet se ushtria izraelite ka kryer krime të shumta që njerëzimi ende nuk i ka dëshmuar.
Në deklaratë thuhej se qeveria izraelite thjesht bëri një vesh të shurdhër ndaj thirrjeve nga e gjithë bota se “palestinezët nuk duhet të vriten”.
ICESCO-ja deklaroi se “gratë, fëmijët dhe të moshuarit palestinezë që janë të ekspozuar ndaj sulmeve barbare izraelite nuk kanë më ku të fshihen”.
Më shumë se 36.000 palestinezë, shumica dërrmuese e tyre gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza që nga tetori i vitit të kaluar dhe më shumë se 81.000 janë plagosur.
Gati tetë muaj pas fillimit të luftës së Izraelit, pjesë të mëdha të Rripit të Gazës janë rrënuar mes bllokadave të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli është akuzuar për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin që të përfundojë menjëherë operacionin e tij në Rafah, qytetin e Rripit jugor të Gazës ku më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar strehim.