E para e shtetit gjatë vizitës së saj në Drenas është pyetur lidhur me idenë e kryeministrit Albin Kurti që i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ta dërgojë në Komisionin e Venecias draftin që ka propozuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Osmani tha se një ide e tillë asaj nuk i është prezantuar formalisht.
“Sipas Kushtetutës përcaktimi i objektivave të politikës së jashtme bëhet nga kreu i shtetit. Kurdo që prezantohet një ide e tillë e shqyrtojë, por mendoj se është me rëndësi që çdo ide të analizohet në kontekst të interesave të Kosovës dhe qytetarëve…”, tha ajo.
Tutje, presidentja e vendit shtoi se nëse një ide e tillë e ndihmon Kosovën nuk ka arsye që të mos përkrahet.
“Duhet të prisni edhe pak derisa ta diskutojmë në mënyrë formale këtë propozim”, ka thënë Osmani.
Derisa në prapavijë u dëgjua t’i thonë që ta mbajë telefonin me vete, e para e shtetit tha “gjithmonë e mbajë telefonin afër”.
Kjo, pasi javë më parë pati një përplasje verbale lidhur me dërgimin e një letre në Këshill të Evropës nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Osmani kishte deklaruar se nuk ishte njoftuar për letrën, ndërkaq kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte thënë se arsyeja me gjasë ishte që presidentja ndodhej jashtë vendit.
Lidhur me këtë kishte reaguar Osmani, duke thënë se “ekzistojnë telefonat”. /Telegrafi/
The post Ideja e Kurtit që Lajçak ta dërgojë Asociacionin në Komisionin e Venecias, Osmani: Nuk më është prezantuar ende formalisht first appeared on Radio Televizioni Iliria.