Numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 280 si pasojë e aksidentit hekurudhor në Indinë lindore ku u përfshinë tri trena, ndërsa 900 janë lënduar, thanë zyrtarët, transmeton Anadolu.
Aksidenti hekurudhor, më i rëndi në historinë e fundit të Indisë, ndodhi në rrethin Balasore të shtetit Odisha të premten vonë, ndërsa autoritetet nisën një operacion masiv shpëtimi.
Sudhanshu Sarangi, Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Shërbimeve Zjarrfikëse të shtetit Odisha, konfirmoi numrin e viktimave për Anadolu.
Pamjet nga vendi treguan një numër të madh të shpëtimtarëve që vazhdonin të ndihmonin pasagjerët e bllokuar në tren sot në mëngjes. Në pamje shihen dëme masive në vagona.
Ministri i Hekurudhave, Ashwini Vaishnaw, i cili vizitoi vendin e aksidentit sot, tha se fokusi mbetet te shpëtimi.
Ai tha se të lënduarve do t’u sigurohen strukturat më të mira të mundshme shëndetësore dhe se është formuar një komitet i nivelit të lartë për të hetuar aksidentin dhe për të mësuar shkakun rrënjësor të fatkeqësisë.
Më herët, Vaishnaw shkroi në Twitter se ekipet e shpëtimit nga Bhubaneswar, Kolkata, Forca Kombëtare e Reagimit ndaj Fatkeqësive (NDRF) dhe forcat ajrore janë mobilizuar.
Zëdhënësi i Hekurudhave të Indisë (Indian Railways), Amitabh Sharma, tha për Anadolu të premten vonë se një tren pasagjerësh doli nga shinat dhe vagonët e tij ranë në shinat e kundërta.
“Vagonët e dalë nga shinat goditën një tren tjetër pasagjerësh, duke hedhur disa vagonë të trenit të dytë jashtë binarëve”, tha ai, duke shtuar se në aksident ishte përfshirë edhe një tren mallrash.
Autoritetet e hekurudhave indiane njoftuan gjithashtu kompensim për viktimat.
Hekurudha Juglindore e Indisë (South Eastern Railway) njoftoi anulimin dhe devijime të disa trenave. Departamenti i Informacionit dhe Marrëdhënieve me Publikun i shtetit tha se për shkak të aksidentit më vdekjeprurës hekurudhor në vend, kryeministri i rajonit, Naveen Patnaik, urdhëroi një periudhë zie njëditore
Kryeministri Narendra Modi shkroi në Twitter: “I shqetësuar nga aksidenti i trenit në Odisha. Në këtë orë pikëllimi, mendimet e mia janë me familjet e viktimave. Uroj që të plagosurit të shërohen shpejt”.
India ka përjetuar aksidente të mëdha treni. Në vitin 2016, më shumë se 140 pasagjerë humbën jetën pasi një tren doli nga shinat në shtetin verior Uttar Pradesh.