RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

India: Mbajtja e takimit të G20-tës në Xhamu dhe Kashmir është “e natyrshme”

india:-mbajtja-e-takimit-te-g20-tes-ne-xhamu-dhe-kashmir-eshte-“e-natyrshme”

India ka deklaruar se është “e natyrshme” të mbahen takimet e G20-tës në Xhamu dhe Kashmir dhe në rajonin Ladakh pasi ato janë pjesë “integrale dhe të pandashme” të Indisë, transmeton Anadolu.

Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Indisë vjen disa ditë pasi Pakistani dënoi “me ashpërsi” vendimin e Indisë për të mbajtur takimin e muajit të ardhshëm të Grupit të Punës të Turizmit të G20-tës në rajonin e diskutueshëm të Xhamu dhe Kashmirit.

Gjatë një konference për media, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Arindam Bagchi, kur iu kërkua të reagojë ndaj kundërshtimit të Pakistanit, tha se është “e natyrshme të mbahet kjo ngjarje në dy territoret e Indisë”.

“Këto ngjarje, takime të G20-tës, po mbahen në gjithë Indinë, ato po organizohen në çdo rajon të Indisë. Mbajtja e takimeve të tilla në Xhamu dhe Kashmir dhe në Ladakh është shumë e natyrshme pasi ne gjithmonë i kemi konsideruar pjesë integrale dhe të patjetërsueshme të Indisë”, tha Bagchi.

Në fillim të kësaj jave, Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit shprehu “indinjatën e saj të fortë për vendimin e Indisë për mbajtjen e takimit të Grupit të Punës të Turizmit të G20-tës në Srinagar më 22-24 maj 2023”.

“Programimi i dy takimeve të tjera të një forumi konsultativ për çështje rinore (Y-20) në Leh dhe Srinagar në Xhamu dhe Kashmirin (IIOJK) e pushtuar ilegalisht nga indianët është njëlloj shqetësues”, tha ministria pakistaneze.

Islamabadi akuzoi New Delhin se “përsëri” ka shfrytëzuar anëtarësimin në një grupim të rëndësishëm ndërkombëtar për të avancuar “agjendën vetëshërbyese të saj” duke mbajtur takimin e ardhshëm në një rajon të diskutueshëm.

Takimi i tretë i Grupit të Punës të Turizmit të G20-tës nën Presidencën e Indisë me G20-tën do të mbahet nga 22 deri më 24 maj në Srinagar, kryeqyteti i Kashmirit të administruar nga India.

Rajoni i diskutueshëm

Kashmiri kontrollohet në pjesë nga India dhe Pakistani, ndërsa pretendohet e plotë nga të dy vendet. Një pjesë e vogël e rajonit gjithashtu kontrollohet nga Kina.

Që kur u ndanë në vitin 1947, të dy vendet kanë luftuar tri luftëra, respektivisht në vitet 1948, 1965 dhe 1971, dy prej tyre për Kashmirin.

Disa grupe të Kashmirit kanë luftuar kundër sundimit indian për pavarësi ose për bashkim me Pakistanin fqinj.

Sipas disa grupeve të të drejtave të njeriut, mijëra njerëz janë vrarë dhe torturuar në konflikt që nga viti 1989.

Related posts

Numri i ushtarëve të vrarë izraelitë në Gaza u rrit në 562

admin

Spanja e gatshme të dërgojë tanke në Ukrainë në koordinim me aleatët

admin

Për 3 ditë arrestohen mbi 26.000 emigrantë në kufirin ShBA-Meksikë

admin