Në qytetet Bojnurd dhe Mashhad të Iranit janë mbyllur institucionet shtetërore për shkak të ndotjes së ajrit, transmeton Anadolu.
Sipas Agjencisë së Lajmeve Tesnim, shefi i Menaxhimit të Krizave të Khorasanit të Veriut, Gulam Rıza Shafik, dha informacion mbi këtë temë.
“Për shkak të ndotjes së ajrit që kalon mbi 300 mikrogram/metër kub, sot pas orës 10:00 janë mbyllur institucionet shtetërore në Bojnurd”, tha ai.
Për shkak të rritjes së ndotjes së ajrit në qytetin e Mashhadit, janë mbyllur institucionet qeveritare dhe shkollat.
Mehdi Ilahipur, Drejtor i Mbrojtjes së Mjedisit në Rezevi Khorasan, tha se ndotja e ajrit në Mashhad është në nivelin 236 mikrogramë/metër kub për shkak të stuhisë së pluhurit.
Zyrtari iranian u bëri thirrje njerëzve, veçanërisht atyre me sëmundje të zemrës dhe të frymëmarrjes, të mos dalin nga shtëpitë e tyre nëse nuk e kanë të detyrueshme.
Grupi i punës emergjente për ndotjen e ajrit në Mashhad njoftoi gjithashtu se institucionet qeveritare dhe shkollat janë mbyllur në qytet.
Vlerat e përcaktuara sipas grimcave (PM10) në një metër kub ajër në indeksin e cilësisë së ajrit renditen si më poshtë:
0-50 ajër i pastër (jeshile), 51-100 mesatar (e verdhë), 101-150 i ndjeshëm (portokalli), 151-200 i pashëndetshëm (e kuqe), 201-300 i keq (vjollcë), 301-500 i rrezikshëm (kafe).