Irani është duke pritur përgjigjen zyrtare të Shteteve të Bashkuara përmes ndërmjetësuesve ndërkombëtarë lidhur me propozimin për një armëpushim shtatëditor dhe rihapjen e ngushticës së Hormuzit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani i ka paraqitur kushtet e tij përmes ndërmjetësve nga Katari, gjatë takimeve në Nju Jork.
Sipas tij, Irani ka dëgjuar reagimin e parë të presidentit amerikan Donald Trump, por ende nuk ka marrë përgjigje përfundimtare nga ndërmjetësuesit.
Plani iranian parashikon që SHBA-ja, gjatë pesë ditëve të para, të heqë bllokadën detare ndaj porteve iraniane, të pezullojë sanksionet ndaj naftës, të lirojë rreth 12 miliardë dollarë të aseteve iraniane të ngrira dhe të respektojë një armëpushim në rajon, përfshirë Libanin dhe Jemenin. Më pas, në ditën e gjashtë, do të mundësohej rihapja e ngushticës së Hormuzit dhe nisja e bisedimeve për paqe.
Trump e ka hedhur poshtë propozimin, duke thënë se nuk e pranon atë.
Araghchi deklaroi se rihapja e ngushticës mbetet e kushtëzuar nga përmbushja e kërkesave të Iranit dhe se zgjidhja mund të arrihet vetëm përmes negociatave. Ndërkohë, një zëdhënës i Gardës Revolucionare iraniane tha se Irani nuk do t’i ndalë veprimet kundër SHBA-së derisa të përmbushen kushtet e Teheranit. /mesazhi

