RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Irani teston me sukses raketën balistike me rreze të lartë veprimi

irani-teston-me-sukses-raketen-balistike-me-rreze-te-larte-veprimi

Irani testoi me sukses një raketë balistike me një rreze të mundshme prej 2,000 kilometrash të enjten, tha media shtetërore, dy ditë pasi shefi i forcave të armatosura të Izraelit ngriti mundësinë e një “veprimi kundër Teheranit” lidhur me programin e tij bërthamor.

Irani, i cili ka një nga programet më të mëdha të raketave në Lindjen e Mesme, thotë se armët e tij janë të afta të arrijnë bazat e armiqve të tyre më të mëdhenj, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.

Pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së dhe Evropës, Republika Islamike ka thënë se do të zhvillojë më tej programin e saj të raketave “mbrojtëse”.

“Mesazhi ynë për armiqtë e Iranit është se ne do të mbrojmë vendin dhe arritjet e tij. Mesazhi ynë për miqtë tanë është se ne duam të ndihmojmë stabilitetin rajonal”, tha ministri iranian i Mbrojtjes, Mohammadreza Ashtiani.

Një videoklip i shkurtër u shfaq në televizionin shtetëror të Iranit, ku shihej lëshimi i një versioni të përmirësuar të raketës balistike Khoramshahr 4 të Iranit.

Raketa, pretendohet se kishte një rreze veprimi prej 2,000 kilometrash dhe kapacitet për të mbajtur një kokë rakete prej 1,500 kilogramësh.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, raketa e ngarkuar me lëndë të lëngshme djegëse është emërtuar “Kheibar”, duke marrë frymëzim nga një kështjellë hebreje që u pushtua nga luftëtarët myslimanë gjatë ditëve të hershme të përhapjes së fesë Islame.

“Raketa Kheibar, e ndërtuar brenda vendit, posedon karakteristika të dukshme si përgatitja e shpejtë dhe aftësitë e lëshimit, duke e bërë atë një armë taktike dhe jo vetëm strategjike”, u tha në njoftim.

Izraeli, një shtet që Republika Islamike nuk e njeh, e percepton Iranin si një nga kërcënimet kryesore të ekzistencës së tij.

Irani thotë se raketat e tij balistike janë një forcë e rëndësishme parandaluese dhe hakmarrëse kundër Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe kundërshtarëve të tjerë të mundshëm rajonalë.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se ushtria nuk komenton për çështje të tilla.

Mes shqetësimeve për përparimin e shpejtë të Teheranit në avancimet bërthamore, përpjekjet e gjashtë fuqive botërore për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 kanë ngecur që nga shtatori i kaluar.

Marrëveshja, e cila u braktis nga Uashingtoni në vitin 2018, vendosi kufizime në aktivitetet bërthamore të Iranit, duke zgjatur në mënyrë efektive kohën e nevojshme për Teheranin për të zhvilluar materiale të mjaftueshme të zbërthyeshme për një armë bërthamore, nëse vendos të bëjë diçka të tillë.

Irani hedh poshtë çdo pretendim për armë bërthamore. /rel

Related posts

Gjykata Speciale ia sekuestron telefonin Nait Hasanit

admin

Hamasi: Katari do të rindërtojë shtëpitë e shkatërruara nga sulmet izraelite

admin

Pas 15 ditësh, bëhet ndërrimi i policëve që ishin të bllokuar në Leposaviq

admin