Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, hodhi poshtë çdo lidhje midis sulmit ndaj autorit dhe Iranit
Zyrtarët iranianë, në reagimin e tyre të parë që nga tentimi për vrasjen e shkrimtarit britaniko-amerikan me origjinë indiane Salman Rushdie, thanë se shkrimtari dhe mbështetësit e tij janë fajtorë për sulmin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, duke folur në një konferencë javore për media në Teheran, hodhi poshtë çdo lidhje midis sulmit ndaj autorit dhe Iranit.
Ai tha se “askush nuk ka të drejtë” të akuzojë Iranin për orkestrimin e sulmit ndaj Rushdie, i cili aktualisht po shërohet në një spital pasi u godit me thikë në skenë në një ngjarje në New York, duke i shkaktuar lëndime të rënda.
Autori 75-vjeçar ka jetuar nën kërcënim për shkak të romanit të tij të vitit 1988, “Vargjet Satanike” (The Satanic Verses), i cili bëri që lideri suprem i atëhershëm iranian Ayatollah Khomeini të lëshonte një dekret fetar kundër tij, duke bërë thirrje për vdekjen e tij.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se ata nuk dinë asgjë për sulmuesin, një banor nga New Jersey, përveç asaj që “kanë dëgjuar në mediat amerikane”.
Ai më tej tha se Rushdie “kaloi vijën e kuqe të 1,5 miliard muslimanëve”, si dhe feve të tjera hyjnore, duke bërë blasfemi kundër Profetit Muhamed.
“Liria e shprehjes nuk mund të justifikojë abuzimin me fetë hyjnore dhe parimet e tyre”, tha Kanaani. /aa