Irlanda njoftoi 20 milionë euro për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit publik RTE, duke folur në një konferencë për shtyp pas një takimi me Komisarin e Përgjithshëm të UNRWA-së Philippe Lazzarini në kryeqytetin Dublin, ministri i Jashtëm irlandez Michael Martin ka thënë: “Unë u bëj thirrje donatorëve të tjerë të rifillojnë dhe të zgjerojnë mbështetjen për UNRWA-në në mënyrë që ajo të mund të ofrojë për miliona refugjatë palestinezë në nevojë”.
Lazzarini, nga ana e tij, ka paralajmëruar se punimet e agjencisë do të “komprometohen” që nga marsi nëse nuk arrin të sigurojë fonde të reja ose të bindë donatorët të rifillojnë kontributet e pezulluara.
Javën e kaluar, ministri i Financave i Izraelit Bezalel Smotrich tha se planifikon të anulojë përjashtimet tatimore për UNRWA-në.
Agjencia ende nuk ka komentuar mbi planet izraelite.
Izraeli pretendon se 12 anëtarë të stafit të agjencisë së OKB-së ishin të përfshirë në sulmin e Hamasit të 7 tetorit, në të cilin Tel Avivi thotë u vranë afro 1.200 njerëz.
Disa vende, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë dhe Kanadanë, kanë pezulluar fondet për UNRWA-në pas akuzave izraelite.
Agjencia e OKB-së ka thënë se po i heton këto akuza.
E themeluar në vitin 1949 për të ndihmuar refugjatët palestinezë në gjithë Lindjen e Mesme, UNRWA-ja gëzon përjashtime doganore dhe taksash për produktet e importuara për operacionet e agjencisë. Përjashtohet gjithashtu nga TVSH-ja dhe taksat për blerjet e karburanteve për qëllime organizative.
Shpenzimet e agjencisë së OKB-së në Gaza dhe Bregun Perëndimor vlerësohen në rreth 600 milionë dollarë në vit.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Gaza më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 28.600 palestinezë dhe duke plagosur 67.147 të tjerë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Ofensiva izraelite ka zhvendosur brenda territorit 85 për qind të popullsisë së Gazës, e cila po përballet me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.