Historia e saj u kthye në simbolin e krizës së strehimit
Maricarmen Abascal, 87 vjeç, gruaja që u bë simbol i krizës së strehimit në Spanjë pasi u dëbua nga shtëpia ku kishte jetuar për më shumë se shtatë dekada, ka vdekur në Madrid.
Ironia e fatit është se pikërisht dëbimi i saj, më 23 shtator, ndezi protestat masive për strehimin dhe qiratë, duke u shndërruar në një nga faktorët që çuan kryeministrin Pedro Sánchez të shpallte zgjedhje të parakohshme për 29 nëntorin.
Megjithatë, ajo nuk arriti të kthehej kurrë në shtëpinë për të cilën luftoi. Sipas Reuters, Abascal u nxor nga banesa e saj nga policia dhe punonjësit socialë më 23 shtator, pasi një fond investimesh kishte blerë apartamentin pranë parkut të famshëm Retiro të Madridit dhe kërkonte një rritje të ndjeshme të qirasë.
Pamjet e 87-vjeçares duke u transportuar me barelë drejt ambulancës tronditën opinionin publik dhe u bënë imazhi i një krize që prej kohësh kishte kapërcyer kufijtë e debatit ekonomik.
Pas dëbimit, ajo u shtrua në spital për shkak të ankthit dhe rraskapitjes së madhe. Ndërkohë, aktivistët e strehimit ngritën kampingje proteste në Puerta del Sol dhe kërkuan masa urgjente kundër dëbimeve dhe rritjes së qirave.
Çështja Abascal u shndërrua kështu në katalizatorin e një zemërimi më të gjerë: mungesën e banesave të përballueshme dhe rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës në qytetet spanjolle.
Ironia bëhet edhe më e fortë nga fakti se, disa ditë pas dëbimit, avokati i saj njoftoi se ishte arritur një marrëveshje tetëvjeçare me pronarin. Marrëveshja do t’i lejonte Abascal të kthehej në shtëpi dhe të paguante të njëjtën qira që kishte paguar më parë.
Por ajo duhej të priste derisa gjendja e saj shëndetësore të përmirësohej për ta nënshkruar marrëveshjen. Nuk pati kohë ta bënte këtë. Reuters raportoi se ajo vdiq në spital, pa e parë më shtëpinë ku kishte jetuar për pjesën më të madhe të jetës.
Lajmi për vdekjen e saj shkaktoi protesta të reja. Mijëra njerëz marshuan nga Puerta del Sol drejt parlamentit, duke brohoritur se “kjo nuk është vdekje, është vrasje”. Sindikatat njoftuan gjithashtu një grevë të përgjithshme kombëtare për çështjen e strehimit më 11 nëntor.
Protesta u zhvilluan edhe në Barcelonë. Presioni social u përkthye shpejt në presion politik. Parlamenti kishte rrëzuar një javë më parë disa masa që synonin kufizimin e dëbimeve dhe frenimin e rritjes së qirave.
Në këtë klimë, Sánchez vendosi të shpallë zgjedhjet e parakohshme, duke tentuar ta zhvendosë debatin politik nga problemet që kishin goditur qeverinë, përfshirë krizën e emigracionit dhe skandalet e korrupsionit, drejt krizës së strehimit.
Reuters vëren se kryeministri po përpiqet të shfrytëzojë zemërimin në rritje për çmimet e banesave dhe qiratë për të ndryshuar narrativën politike përpara zgjedhjeve. Por vdekja e Abascal e ndërlikon edhe më shumë këtë llogari politike.
Sánchez e përshëndeti me një mesazh ngushëllimi, ndërsa lideri i opozitës së djathtë, Alberto Núñez Feijóo, kërkoi që vdekja e saj të mos politizohej. “Përballë vdekjes së dikujt, rëndësi ka vetëm respekti”, shkroi ai.
Megjithatë, është e vështirë të mos shihet dimensioni politik i historisë së saj. Një grua 87-vjeçare humbi shtëpinë ku kishte jetuar për më shumë se 70 vjet, u shtrua në spital, fitoi në fund të betejës një marrëveshje që i hapte rrugën kthimit, por vdiq para se të mund ta firmoste.
Fqinjët e përshkruajnë Abascal si një grua të fortë, me bindje të qarta dhe ndjenjë të theksuar drejtësie e solidariteti. Tani, ironia më e hidhur është se ajo nuk do ta shohë rezultatin politik të betejës së saj. Gruaja që u bë shkëndija e një krize kombëtare dhe kontribuoi në çuarjen e Spanjës drejt zgjedhjeve të parakohshme, ndërroi jetë pikërisht në mes të luftës për një çati mbi kokë. tesheshi

