Shqipe Pantina nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK. Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në”, ka shkruar ai.
Ndryshe, Pantina ka qenë për disa vjet deputete e Vetëvendosjes, për të kaluar pastaj në Partinë Social Demokrate.
Postimi i plotë:
Shqipe Pantina nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet shtëpisë sonë politike si një profesioniste me përvojë të shquar në jetën publike.
Shqipja ka shërbyer për dy mandate si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Para angazhimit politik, ajo ishte pjesë e shoqërisë civile, sikurse dhe konsulente në projekte të ndryshme ndërkombëtare me organizata prestigjioze si USAID, BE, OSBE, NDI, IFES e IREX.
Shqipja i ka të mbaruara studimet bazike në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Shkencave Politike, ndërsa ka magjistruar në Universitetin e Gracit në Austri, në fushën e studimeve evropiane. Në vitin 2012 ka specializuar në Universitetin e Indianas të ShBA-ve në fushën e sistemeve zgjedhore.
Jam jashtëzakonisht i lumtur për ardhjen e Shqipes në LDK. Ajo përveç se pasuron radhët tona politike, vazhdon ciklin e bashkëngjitjeve që anëtarë të jetës publike, politike, medias e shoqërisë civile po e bëjnë me LDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës sot është bërë adresa e vetme e profesionistëve të tillë. Nga këtu, kështu, e kemi për obligim t’i ofrojmë qytetarëve të vendit platformë politike të denjë për rrugëtimin e ardhëm që Kosova e meriton.
Shqipe, mirë se vjen!