Rusia mund të tentojë një operacion ushtarak të kufizuar kundër një vendi baltik anëtar të NATO-s brenda javësh ose muajsh, në vend që të nisë një luftë në shkallë të gjerë me aleancën, paralajmëroi ish-kreu i Shërbimit të Kundërzbulimit Ushtarak të Polonisë në një intervistë të publikuar të shtunën, transmeton Anadolu.
Gjenerali Piotr Pytel i ka thënë portalit polak të lajmeve Onet se prej një kohe e konsideron të mundur që Rusia të marrë përkohësisht kontrollin e një pjese të territorit të Estonisë, Letonisë ose Lituanisë, në një operacion që synon pjesërisht t’i tregojë opinionit të brendshëm rus se lufta e Moskës në Ukrainë është shndërruar në një përballje me NATO-n.
“Nuk po flas për një luftë në shkallë të gjerë, por për një operacion ushtarak të kufizuar”, ka thënë Pytel.
Ai e ka lidhur vlerësimin e tij me vizitën e papritur të fundit në Moskë të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, duke thënë se kontakte të tilla të nivelit të lartë mes shërbimeve të inteligjencës zakonisht zhvillohen kur qeveritë duhet të komunikojnë informacione urgjente ose të menaxhojnë një krizë në zhvillim.
Pytel ka thënë se një shpjegim i mundshëm është që inteligjenca amerikane ka zbuluar përgatitje për një operacion rus dhe se Ratcliffe kishte udhëtuar në Moskë për ta paralajmëruar Kremlinin për pasojat.
Ai ka theksuar se kjo mbetet një interpretim dhe jo informacion i konfirmuar.
Nëse Rusia do të përgatitej për një operacion të rëndësishëm tokësor, treguesit mund të përfshinin lëvizjen e karburantit dhe furnizimeve të tjera, ngritjen e pikave të komandës dhe komunikimit, rritjen e gatishmërisë së njësive ushtarake dhe dislokimin e kapaciteteve për zbulim elektronik, ka thënë Pytel. Ai ka shtuar se përgatitje të tilla logjistike do të ishte e vështirë të fshiheshin.
I pyetur për afatin e mundshëm kohor, Pytel ka thënë se, nëse interpretimi i tij do të ishte i saktë, kërcënimi lidhet me “javët ose muajt e ardhshëm”, dhe jo me vitet, duke vënë në dukje se moti i vjeshtës së vonë dhe dimrit mund të kufizojë disa operacione ushtarake.
Ai i është referuar gjithashtu retorikës gjithnjë e më konfrontuese të Rusisë ndaj vendeve të NATO-s, përfshirë komentet e fundit të ministrit të Jashtëm, Sergey Lavrov, lidhur me Britaninë, duke argumentuar se deklarata të tilla mund të shërbejnë për ta përgatitur opinionin publik rus për përshkallëzim të mëtejshëm.
Pytel ka thënë se motivi kryesor i Kremlinit nuk do të ishte domosdoshmërisht zgjerimi territorial, por ruajtja e kontrollit politik të brendshëm përmes forcimit të narrativës se Rusia përballet me një armik të jashtëm.
“Gjëja më e rëndësishme është ruajtja e pushtetit”, ka deklaruar ai, duke pohuar se lufta dhe menaxhimi i frikës janë shndërruar në instrumente të sistemit politik të Rusisë.
Paralajmërimi vjen në një kohë shqetësimi të shtuar për aktivitetin rus përgjatë krahut lindor të NATO-s dhe spekulimeve lidhur me vizitën e Ratcliffe në Moskë.
Pytel drejtoi Shërbimin e Kundërzbulimit Ushtarak të Polonisë, i njohur si SKW, nga viti 2014 deri në vitin 2015.

