RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Izraeli paraqet kërkesë në OKB për mbylljen e UNRWA-së

izraeli-paraqet-kerkese-ne-okb-per-mbylljen-e-unrwa-se

Izraeli paraqiti kërkesë në OKB për mbylljen e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), transmeton Anadolu.

Sipas një lajmi të “The Guardian”, bazuar në zyrtarë të OKB-së, Izraeli e bëri kërkesën javën e kaluar.

Kërkesa e Izraelit, e cila kërkon mbylljen e UNRWA-së dhe caktimin e stafit të tij në organizata të ndryshme të OKB-së që do të kryejnë shpërndarjen e ushqimit në shkallë të gjerë, është bërë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Herzi Halevi.

Duke thënë se nuk dëshironte të punonte me UNRWA-në për ndihmën që do të dërgohej në Gaza, Izraeli fajësoi kapacitetin e OKB-së në Gaza për dështimin e më shumë ndihmave për të hyrë në rajon.

Në kërkesën e tij, Izraeli kërkoi transferimin e 300 deri në 400 anëtarëve të personelit të UNRWA-së në institucionet e OKB-së si Programi Botëror i Ushqimit ose në një institucion të sapokrijuar.

– “UNRWA-së i jepet autoriteti nga AP-OKB-ja dhe mund të ndryshohet vetëm nga Asambleja e Përgjithshme”

Zyrtarët e OKB-së, emrat e të cilëve u mbajtën sekret dhe pikëpamjet e të cilëve u përfshinë në lajm, thanë se kërkesa synonte të portretizonte OKB-në si “palën që nuk dëshiron të bashkëpunojë në luftën kundër urisë në Gaza”.

Një zyrtar që pretendon se Izraeli e bëri kërkesën si pjesë e planit për të shkatërruar UNRWA-në tha: “Nëse e lejojmë, kjo do të thotë se ne do të qeverisemi plotësisht nga Izraeli dhe OKB-ja do të jetë bashkëpunëtore në shkatërrimin e UNRWA-së i cili është institucioni më i madh në luftën kundër ekstremizmit dhe dhënien e ndihmave”.

Zyrtarët deklaruan se SHBA-ja mbështet kërkesën e Izraelit, por vendet e tjera që mbështesin UNRWA-në dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e kundërshtuan këtë kërkesë.

Duke argumentuar se UNRWA është i vetmi institucion me burimet dhe sigurinë për të ofruar ndihma në Gaza, burimet e OKB-së thanë se ndërsa rreziku i urisë në Gaza vazhdon, kalimi në një rend të ri në përputhje me kërkesat e Izraelit do të kishte pasoja katastrofike.

Ish-zëdhënësi i UNRWA-së, Chris Gunness tha se kërkesa për shpërbërjen e institucioneve të OKB-së ishte kërkesë “shumë e shëmtuar”. “Asambleja e Përgjithshme e OKB-së i jep autoritetin UNRWA-së dhe vetëm Asambleja e Përgjithshme mund ta ndryshojë këtë autoritet, jo një anëtar apo Sekretar i përgjithshëm”, tha Gunness.

– UNRWA nuk shpërndan vetëm ushqime

Zëdhënësja e UNRWA-së, Tamara al-Rifai tha se një institucion tjetër mund të shpërndante ndihma, por do të kishte ende nevojë për infrastrukturën e UNRWA-së.

Ajo tha se UNRWA jo vetëm që shpërndan ndihma në Gaza, por operon edhe me 7 qendra shëndetësore, kryen 23 mijë trajtime në ditë dhe ka administruar 53 mijë vaksina që nga 7 tetori 2023.

Duke theksuar se nuk ka asnjë organizatë që mund të kryejë detyrën e UNRWA-së, Al-Rifai tha se uria është një problem alarmant.

– UNRWA, e cila ofron ndihmë për miliona palestinezë, është në shënjestër të Izraelit

Objektet e UNRWA-së, e cila është përpjekur të shërojë plagët e palestinezëve dhe ka ofruar mbështetje për miliona refugjatë palestinezë për rreth 74 vjet, u goditën vazhdimisht nga Izraeli dhe u shkatërruan tonelata ushqime dhe ilaçe.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka kërkuar hetim urgjent mbi pretendimet e zyrtarëve izraelitë se disa personel të UNRWA-së ishin përfshirë në sulmet e 7 tetorit. UNRWA nisi hetim mbi akuzat e Izraelit.

Përafërsisht 10 vende dhe institucione, përfshirë SHBA-në, njoftuan se kanë ngrirë donacionet e tyre për UNRWA-në.

Pasi Izraeli nuk arriti të vërtetonte akuzat e tij në lidhje me UNRWA-në, Australia, Kanadaja, Suedia dhe Bashkimi Evropian (BE) anuluan vendimet e tyre dhe njoftuan se do të vazhdojnë të financojnë Agjencinë.

Related posts

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Albin Kurti është politikan me përvojë dhe këmbëngulës

admin

Ushtarët izraelitë arrestojnë 15 palestinezë në Bregun Perëndimor

admin

Hapen pikat kufitare në Bërnjak dhe Merdarë

rezart morina