Izraeli i ka urdhëruar të shtunën palestinezët në disa pjesë të tjera të qytetit jugor Rafah në Rripin e Gazës, të evakuohen dhe të shkojnë në, siç i quan, zonat e zgjeruara humanitare në Al-Mawasi.
Ky është një tjetër tregues se ushtria izraelite e ka ndër mend ta zbatojë planin për pushtimin e plotë të Rafahut.
Në një postim në rrjetet sociale, një zëdhënës i ushtrisë izraelite u bëri thirrje banorëve dhe të zhvendosurve në zonën Xhabalia dhe në 11 lagje të tjera në enklavë, të shkojnë menjëherë në perëndim të Gaza City për t’u strehuar.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të shtunën se së paku 37 palestinezë, 24 prej të cilëve nga zonat e Gazës qendrore, u vranë gjatë sulmeve të natës nëpër enklavë, përfshirë në Rafah.
Ushtria izraelite tha se avionët e vet luftarakë goditën dhjetëra caqe nëpër Rripin e Gazës gjatë ditës së fundit.
Në Rafah, banorët thanë për Reuters se urdhrat e rinj për evakuim nga ushtria izraelite vlejnë për zonat në qendër të qytetit dhe se nuk ka dyshim se Izraeli synon ta kryejë ofensivën e planifikuar në këtë qytet.
“Gjendja është shumë e rëndë, njerëzit po ikin nga shtëpitë e tyre në panik”, tha Khaled, një banor 35-vjeçar i lagjes Shaboura, banorët e së cilës janë urdhëruar të largohen.
Me gjithë trysninë e madhe nga SHBA-ja dhe aleatët, Izraeli ka thënë se do ta pushtojë Rafahun, ku mbi 1 milion palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar strehim gjatë luftës tashmë shtatëmujore.
Izraeli thotë se nuk mund ta fitojë luftën pa e çrrënjosur Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – luftëtarët e të cilit beson se janë vendosur në Rafah.
Rreth 300.000 palestinezë janë zhvendosur deri tani në qytezën Al-Mawasi, e cila ndodhet në bregdetin lindor të enklavës, sipas ushtrisë izraelite.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah.
Por, një ditë më vonë të enjten, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se kërcënimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar furnizimin me disa armë, nuk do ta parandalojë Izraelin nga vazhdimi i luftës së tij në Rripin e Gazës, duke lënë të kuptohet se ai mund ta pushtojë qytetin e mbipopulluar Rafah.
Netanyahu tha se “nëse na duhet qëndrojmë të vetëm, do të qëndrojmë të vetëm. Nëse detyrohemi, ne do të luftojmë me thonjtë e gishtërinjve tanë. Por, ne kemi shumë më shumë se vetëm thonj”.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë ka nisur shtatë muaj më parë, kur pjesëtarët e këtij grupi kryen sulme befasuese në tokën izraelite, duke vrarë mbi 1.200 njerëz.
Në luftën hakmarrëse të Izraelit në Gazë janë vrarë afro 35.000 palestinezë prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë. /rel