Zyrtarët izraelitë kanë shprehur skepticizëm mbi përpjekjet e fundit diplomatike të SHBA-së me Iranin, duke argumentuar se presidenti Donald Trump dhe këshilltarët e tij po ndjekin një marrëveshje “me çdo kusht”, transmeton Anadolu.
Duke cituar një zyrtar të lartë izraelit, lajmi i “Channel 12” tha se ka pasiguri në rritje në Tel Aviv mbi qasjen e Trumpit ndaj Teheranit. “Distanca midis paqes dhe luftës me Trumpin është distanca midis shkronjave T, R dhe U në tastierë”, tha zyrtari për “Channel 12” duke sugjeruar se politika e SHBA-së mund të ndryshojë me shpejtësi.
Sipas transmetuesit, Washingtoni nuk e ka informuar drejtpërdrejt Izraelin mbi negociatat me Iranin lidhur me Ngushticën e Hormuzit, duke i lënë autoritetet izraelite të marrin shumicën e përditësimeve përmes kanaleve indirekte.
“Channel 12” raportoi se zyrtarët izraelitë talleshin privatisht me shtytjen e ripërtërirë diplomatike, duke thënë se çdo marrëveshje e mundshme mund të rregullonte operacionet në rrugën strategjike ujore dhe t’i hapte rrugën Washingtonit dhe Teheranit për të rivendosur mirëkuptim të mëparshëm.
Të martën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se Washingtoni dhe Teherani nuk kanë përfunduar ende bisedimet për kalimin nëpër rrugët ujore të rëndësishme ndërkombëtare, por ai shpreson se një marrëveshje do të vijë “shumë shpejt”.
Ndërmjetësuesit pakistanezë dhe katarianë po përgatisin një dokument për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe kanë intensifikuar kontaktet me SHBA-në, Iranin dhe “partnerët e tjerë rajonalë”, thanë burime të qeverisë pakistaneze për Anadolu të martën.
Irani ka qenë i përfshirë në një konflikt me SHBA-në që nga shkurti, kur Washingtoni dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët ndaj Teheranit. Irani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa ndaj vendeve të Gjirit që strehojnë asetet e SHBA-së.

