Qeveria e Japonisë i përcolli Kinës shqetësimet e saj të thella për arsye të aktiviteteve ushtarake në rritje përreth ujërave të saj kombëtare, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme japoneze thuhet se zyrtarët e Ministrive të Jashtme dhe të Mbrojtjes të të dy vendeve kanë zhvilluar në Tokio një takim gjithëpërfshirës konsultativ të nivelit të lartë për çështjet detare.
Në takimin konsultativ që u mbajt për herë të parë ballë për ballë pas majit 2019, Japonia i përcolli Kinës shqetësimet e saj të thella lidhur me arsyen e aktiviteteve ushtarake në rritje të Kinës përreth ujërave të saj kombëtare.
Duke vënë theksin mbi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ngushticën e Tajvanit, Japonia i përcolli shqetësimet e saj edhe për nxjerrjen e gazit natyror në mënyrë të njëanshme nga Kina në zonën e diskutueshme në Detin e Kinës Lindore.
Në takim zyrtarët e dy vendeve konfirmuan qëllimet e tyre të përbashkëta për të punuar reciprokisht në drejtim të zbatimit të marrëveshjes dypalëshe të vitit 2008 e cila përfshin projektin e përbashkët të gazit në rajonin në fjalë.
Zyrtarët e dy vendeve që ranë dakord për vazhdimin e komunikimit në nivel të lartë, premtuan se do të vendoset në funksion linja e situatës emergjente të formuar mes autoriteteve të mbrojtjes Japoni-Kinë.